Telekomi nuk i dorëzoi dokumentacionin komisionit hetimor

Sipas Ymerit dje ishte afati i fundit

Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me gjendjen në PTK dhe Vala sot nuk ka arritur të shqyrtojë dokumentacionin e Telekomiit të Kosovës, sepse menaxhmenti i kësaj kompanie nuk ia ka dorëzuar dokumentacionin këtij Komisioni.

Kryesuesi i këtij Komisionit Visar Ymeri tha se kryeshefi ekzekutiv i Telekomit Bedri Istrefi, ka kërkuar afat shtesë për kompletimin e gjithë dokumentacionit, mirëpo edhe pas afatit shtesë ky menaxhment nuk ka përfillur Komisionin Hetimor me arsyetimin se dokumentacioni është konfidencal dhe disa lëndë janë duke u hetuar nga Prokuroria e shtetit.

“Deri tash nuk kemi kurrfarë dokumentacioni nga menaxhmenti i Telekomit. Dje ka qenë afati i fundit për të na e dërguar dokumentacionin”, tha Ymeri, duke shtuar se ky ngurrim nga menaxhmenti shton dyshimet për keqpërdorime në Telekom.

Ndërsa, deputeti Armend Zemaj, tha se ky Komision duhet të dërgojë edhe një letër me shkrim menaxhmentit të Telekomit për dorëzimin e dokumentacionit për hetim.

Zemaj tha se askush nuk duhet të përpiqet ta ndalojë hetimin në Telekom.

Deputetja Albulena Haxhiu shprehu shqetësimin për mos bashkëpunim me Kuvendin e Kosovës.

“Kjo tregon një papërgjeshmërinë dhe tendencat për ta ndaluar hetimin në Telekom. Asgjë nuk është kërkuar që është konfidenciale. Ne duhet t’i ndjekim të gjithë hapat ligjor për hetimin e gjendjes në Telekom”, tha Haxhiu.

Deputeti Milaim Zeka tha se drejtori ekzekutiv i Telekomit Bedri Istrefi po e trajton Kuvendin e Kosovës sikur gazetarët.

Back to top button