Merkel: Do të punojmë për rikthimin e dialogut

“Marrëdhëniet Turqi-BE janë goditur rëndë”

Marrëdhëniet Bashkimi Evropian-Turqi janë goditur rëndë nga veprimet e Qeverisë së presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, tha kancelarja gjermane, Angela Merkel.

“Zhvillimet gjatë javëve të kaluara kanë goditur rëndë lidhjet Gjermani-Turqi, ashtu si edhe ato BE-Turqi”, tha Merkel para Parlamentit gjerman.

Merkel shprehu shqetësimin se referendumi i 16 prillit në Turqi, për rritjen e pushtetit të Erdoganit, nuk është mbajtur në kushte të drejta. Por, ajo shtoi se nuk është as në interesin e Evropës, as të Turqisë që të largohen nga njëra-tjetra. “Do të punojmë drejt rikthimit të dialogut”, tha Merkel, shkruan rtv21.tv

Ajo përmendi edhe arrestimin në Ankara të korrespondentit të një gazete gjermane, Deniz Yucel, dhe tha se një veprim i tillë “nuk është në pajtim me një shtet kushtetues”.

Yucel, gazetar i së përditshmes gjermane Die Welt, shtetas gjermano-turk, është arrestuar në shkurt nën akuzat për terrorizëm dhe është duke pritur gjykimin.

Marrëdhëniet Gjermani-Turqi janë përkeqësuar pas përpjekjes për grushtshtet në Turqi, korrikun e kaluar, dhe goditjes së mëvonshme të autoriteteve turke mbi komplotistët e supozuar.

Komentet e Merkelit vijnë një ditë pasi Turqia ka arrestuar mbi 1,000 njerëz nën akuzat se kanë lidhje me klerikun fetar, Fethullah Gulen, të cilin Erdogan e fajëson për orkestrim të grushtshtetit./21Media

Back to top button