Milani e fitoi titullin pas 11 vjetësh

Skuadra e Milanit e fitoi titullin e ri të kampionit të Italisë në futboll, pasi në ndeshjen e xhiros së fundit në Serie A mori tri pikë si mysafir ndaj Sassuolos.
Ndeshja ishte vendimtare pasi rivali i qytetit Inter në vendin e dytë ishte gjithashtu në kërkim të titullit dhe një humbje eventuale do t’i kushtonte shtrenjtë “rossonerëve”.
Megjithatë, gjithçka sa i përket titullit të 19-të për Milanin dhe të parin pas 11 vjetësh, sot u vendos në 45 minutat e para të ndeshjes.
Olivier Giroud në minutën 17 soli mysafirët në epërsi prej 1:0. Sulmuesi francez arriti të dyfishojë epërsinë 15 minuta më vonë për 2:0.
Milan nuk u ndal me kaq dhe në minutën 36 arriti edhe deri te goli i tretë përmes Franck Kessie-s.
“Rossonerët” këtë sezon grumbulluan 86 pikë në vendin e parë, dy më shumë se Inter, i cili sot mposhti Sampdorian 3:0.

Back to top button