Kryeministri kroat i reagon presidentit Milanoviq: Kosova është shtet i pavarur

(Lajm i përditësuar)
“Sa jam unë në dijeni askush nuk e ka aneksuar Kosovën. Asnjë shtet. Kosova është shtet i pavarur të cilin e ka njohur Kroacia. Aneksim është kur Rusia okupon territor të Ukrainës, organizon referendum të rrejshëm dhe ia bashkon ato pjesë Rusisë. Kosova është shtet i pavarur, sovran, që e kemi njohur. Askush nuk e ka aneksuar“, tha kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq.
Deklarata e presidentit të Kroacisë Zoran Milanoviq se “Serbisë iu rrëmbye Kosova” ka shkaktuar indinjatë të madhe në Kroaci dhe është dënuar njëzëshëm nga i tërë spektri politik.
Këtë e ka dënuar edhe kryeministri kroat Andrej Plenkoviq me të cilin presidenti Milanoviuq është në një luftë verbale tash e disa muaj.
Plenkoviq ka thënë se Milanoviq me deklaratat e tij “po e turpëron Kroacinë“ por ka shtuar se “për fat të mirë miqtë tanë në bashkësinë ndërkombëtare dhe shtetet mike e dinë se çfarë ndodhë në Kroaci dhe cilat janë qëndrimet e kujt“.
Plenkoviq ka rikujtuar se Kroacia ishte ndër të parat që e ka njohur Kosovën si shtet dhe nuk pranon krahasime dhe pohime për “aneksim“.
Plenkoviq ka thënë se Milanoviq tash “është yll jo vetëm në mediat e Rusisë, por edhe ato të Serbisë”.
 
OVL-UÇK i reagon presidentit kroat rreth deklaratës së tij se “Kosova iu rrëmbye Serbisë”
Ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL-UÇK-së, Faton Klinaku ka reaguar pas deklaratës së presidentit të Kroacisë, Zoran Milanoviq, i cili në një konferencë për medie sot deklaroj që Kosova iu është rrëmbyer Serbisë.
Në reagimin e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës thuhet se Shqipërisë i janë aneksuar territoret edhe më herët, por shqiptarët nuk i kanë ndalur asnjëherë përpjekjet për t’i rikthyer territoret, që ende i mbajnë pushtuesit sllav e grek.
“Shqipërisë i janë aneksuar territoret edhe më herët, por ta themi që nga 1912-ta. Për këtë, shqiptarët nuk i kanë ndalur asnjëherë përpjekjet për t’i rikthyer territoret, që ende i mbajnë pushtuesit sllav e grek. Po të mos ishin përpjekjet e popullit shqiptar, e sidomos po të mos ishte lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sa për Kroacinë dhe ndërkombëtarët, Kosova ende do të ishte nën Jugosllavi”, ka shkruar ai.
 
Milanoviq tha se “Kosova iu vodh Serbisë”, reagon deputetja shqiptare në Kroaci
Deputetja shqiptare në Parlamentin e Kroacisë, Ermina Lekaj Prljaskaj, ka reaguar pas deklaratës që dha presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq se “Kosova i është vjedhur Serbisë”.
Deputetja shqiptare tha se “themelet e pavarësisë së Kosovës janë të njëjtat që çuan në pavarësi të Kroacisë”.
Prlaskaj në një postim në Facebook ka thënë se ndien nevojë për t’u deklaruar në lidhje me çështjen.
“Republika e Kosovës është formuar nga procesi i shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, njëjtë si Republika e Kroacisë”, ka thënë ajo, ndërsa ka përmendur edhe elementet historike.
Të hënën, në fund të konferencës së mbajtur në Petrinuja, presidenti i Kroacisë, Milanoviq, ndër tjera tha se “Kosova i është aneksuar Serbisë nga komuniteti ndërkombëtar”.
“Rusët, pasi janë cinikë, do të thirren në aneksimin e Kosovës, të cilën e përkrahi”, ka thënë Milanoviq.
Kur është pyetur nga gazetarëve kush e aneksoi Kosovën, ai tha: “Komuniteti ndërkombëtar dhe ne. U mor nga Serbia. Kosova iu mor Serbisë. A e njohëm Kosovën? Po. Unë qëndroj prapa Kosovës. Kur u bë, pa vullnetin të cilës Kosova i takonte, ishte vetëm çështje se kur rusët apo dikush tjetër do të bënin të njëjtën gjë dhe tash ndodhi. Nuk ishte aneksim, ishte kapje. Një pjesë e territorit që është nxjerrë nga Serbia. Si quhet? Nxjerrje. Nuk vë kjo në dyshim çështjen e Kosovës, por konceptin e tërë në të cilin dikush mendon se ka të drejtë për gjithçka kur i përshtatet, e kur dikush tjetër bën, atëherë është krim”.
Disa mediume serbe kanë përgëzuar Milanoviqin për deklaratën e dhënë. E presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se do ta dëgjojë me vëmendje deklaratën e Milanoviqit.
Deputetja shqiptare Prlaskaj ka thënë se Kroacia ishte ndër vendet e para që njohu Kosovën dhe vendosi marrëdhënie diplomatike.
“Po ashtu, Republika e Kroacisë përkrah fuqishëm angazhimin e Republikës së Kosovës drejt integrimit euro-atlatnik dhe përforcimit të pozitës në Evropën Juglindore”, ka deklaruar Prlaskaj.

Back to top button