Ministri i dha makinën e shtetit kompanisë private
Jevtiq akuzohet se i dha makinën e shtetit një kompanie private
Ministri në detyrë Dalibor Jevtiq bashkë me dy zyrtarë të Ministrisë për Komunitete dhe Kthim dolën para gjykatës për keqpërdorim detyre dhe të autoritetit zyrtar.
Jevtiq, Mihajlo Prlinçeviq dhe Nenad Stojçetoviq akuzohen se i dhanë në shfrytëzim makinën e ministrisë një kompanie private.
Prokuroria pretendon se këtë e kanë bërë me qëllim që të përfitojnë çfarëdo dobie për vete apo personat tjerë dhe t’i shkaktojnë dëm material Ministrisë për Komunitete dhe Kthim.
Pasi prokurori Sylë Hoxha u lexoi aktakuzën, tre të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm.
Po ashtu, të njëjtit theksuan se do të marrin avokatë në seancat e radhës.
Prokuroria ngarkon tre të akuzuarit se kanë tejkaluar kompetencat dhe autorizimet e tyre.
Sipas aktakuzës, Dalibor Jevtiq në cilësinë e ministrit për Komunitete dhe Kthim 11 shkurt të vitit 2014 nxori një vendim me anë të të cilit i dha në shfrytëzim të përhershëm makinën e tipit “Hyundai Accent”, pronë e ministrisë, kompanisë private Radio KiM- TV Centar me seli në Çagllavicë.
Në aktakuzë sqarohet se Jevtiq vendimin për dhënien e makinës e ka marrë në kundërshtim me udhëzimet administrative për përdorimin e automjeteve të Qeverisë së Kosovës.
Nenad Stojçetoviq akuzohet se duke qenë sekretar i përgjithshëm në Ministrinë për Komunitete dhe Kthim dhe përgjegjës për ruajtjen e pasurisë së kësaj ministrie, edhe pse e ka ditur se vendimi i ministrit është i kundërligjshëm, e ka urdhëruar Zyrën Ligjore të Ministrisë të përgatisë kontratën për dhënien në shfrytëzim të makinës zyrtare.
Prlinçeviq akuzohet se si person përgjegjës në Departamentin e Administratës dhe Financave në Ministrinë për Komunitete dhe Kthim të Republikës së Kosovës ka nënshkruar kontratën mes ministrisë dhe kompanisë private më 11 shkurt 2014.
Kur u ngrit aktakuza ndaj Dalibor Jevtiqit, Isa Mustafa paralajmëroi shkarkimin ose dorëheqjen e tij.