Ministri i Jashtëm grek viziton Shqipërinë

Ministri i jashtëm grek, Nikos Dendias këtë të hënë do ta vizitojë Shqipërinë, ku do të takohet me kryepeshkopin Anastas, për ta vazhduar më pas me takimin me kryeministrin, Edi Rama dhe homologen e tij, Olta Xhaçka.
Ora 11:00 -Takim kokë më kokë ministrja Xhaçka do të presë homologun grek Nikos Dendias. Pas takimit dypalësh dy ministrat do të kenë një deklaratë për shtyp.
Në orën 12:30-13:00 do të jetë takimi kokë më kokë i ministrit të Jashtëm grek me kryeministrin Edi Rama, dhe një drekë pune.
“Bisedimet do të fokusohen në çështje me interes dypalësh, evropian dhe rajonal, me theks në rrjedhën e marrëdhënieve greko-shqiptare në të gjitha fushat, përgatitjet për Samitin e Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), zhvillimet në Ukrainë pas pushtimit rus, në rajonin e Mesdheut Lindor dhe në perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor”, informon zyra e shtypit e Ministrisë.
Një ndër temat e bisedimeve në agjendën diplomatike të ministrit pritet të jenë dhe çështja e pensioneve të emigrantëve shqiptarë në Greqi.
Shqipëria dhe Greqia kanë ngritur një komision të përbashkët teknik për të diskutuar një marrëveshje mes të dy vendeve për çështjen e pensioneve të emigrantëve shqiptarë në Greqi.
Sipas burimeve diplomatike shqiptare në Athinë komisioni i ekspertëve teknikë të sigurimeve shoqërore nga të dy vendet po punon prej dy muajsh.
Ambasadorja e Shqipërisë në Athinë Luela Hajdaraga i tha TV Tribuna që trasmeton për shqiptarët në Athinë se “si pala greke dhe pala shqiptare kanë një vullnet pozitiv për të inicuar marrveshjen për sigurimet shoqerore apo siç njihet ndryshe “marrëveshja për pensionet”.
Në vizitën në Tiranë në tetor të 2020 mes ministrit të jashtëm grek dhe kryeministrit u diskutua heqja e ligjit të luftës dhe u ra dakord që çështja e detit të zgjidhej në Hagë./oranews

Back to top button