Ministri italian: Mos merrni hapa të njëanshëm

Zëvendëskryeministri i Italisë Antonio Tajani deklaroi sot se gjendja nuk mund të përkeqësohet tutje në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe ka kërkuar që të mos merren nisma të njëanshme sa i përket targave ilegale.
Ai në një konferencë për media pas takimit me shefen e diplomacisë kosovare Donika Gërvalla, theksoi se mirëpret vendimin e Prishtinës zyrtare për të shtyrë për 48 orë vendimin për targat.
“Gjendja nuk mund të përkeqësohet, mos merrni nisma të njëanshme. E kam vlerësuar vendimin e Kosovës për të shtyrë vendimin për targa, është një sinjal i gatishmërisë. Sot në mëngjes kam dëgjuar edhe fjalë gatishmërie nga ana serbe, duhet të mbështesim një takim në mes të gatishmërive. Sot në Prishtinë e kam marrë një mesazh të gatishmërisë për dialog, e kemi vlerësuar vendimin, e ka për të shtyrë për 48 orë për targat, ky është një sinjal i gatishmërisë. Sot në Beograd ministri serb dhe presidenti serb më kanë shprehur gatishmërinë për të dialoguar. Kam thënë që të dy palët kanë dhënë sinjal të gatishmërisë”, ka thënë Tajani.
Ai ka thënë që synojnë që prania e paqes italiane të ndjehet në gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor.
“Kemi ardhur të themi se do të bëjmë çdo gjë në mënyrë të arrihen marrëveshje dhe të ketë stabilitet, sepse Kosova është një vend mik. Nuk kam ardhur vetëm, kam ardhur me ministrin e mbrojtjes pikërisht për të dëshmuar se ka një veprim të përbashkët të gjithë qeverisë për stabilitetin e këtij rajoni”, ka thënë ai.
E ministrja Gërvalla ka thënë se Tajani është mik i vjetër i Kosovës dhe evropian i përbetuar.
“Me ministrin biseduam rreth përparimit të Republikës së Kosovës në fushën e ekonomisë, vlerat e përbashkëta evropiane, reformën institucionale që është agjendë primare, rritjen e ndjeshme të investimeve në Kosovë. E falënderova për mbështetjen që Italia i ka dhënë Kosovës para e pas luftës. Falënderova ministrin qe ka theksuar përsëri që Italia do të mbetet një shtyllë e fuqishme. Biseduam rreth rrethanave gjeopolitike ne Evropë e rajon, për përpjekjet e Serbisë për destabilizimin e Kosovës. Biseduam se sundimi i ligjit është përgjigje e nevojshme që të jepet dhe jo vetëm në rajonin tonë. Biseduam edhe për dialogun që është duke u zhvilluar me Serbinë një dialog që synim duhet të ketë një rezultat përfundimtar që nuk mund të jetë ndryshe vetëm me njohje reciproke. Biseduam se jo rrallë janë bërë gabime në dialog dhe e siguruam që gabimet të mospërsëriten”, tha Gërvalla.

Back to top button