Ministri i Jashtëm rus do të vizitojë Turqinë

Ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov do të vizitojë Turqinë me një delegacion ushtarak më 8 qershor për të diskutuar krijimin e një korridori të mundshëm detar për eksportet bujqësore ukrainase, tha të martën ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu.
Cavusoglu tha për agjencinë shtetërore të lajmeve Anadolu se korridori humanitar për anijet që transportojnë ushqim është ndër temat që do të diskutohen.
Presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan, gjatë një telefonate të hënën i ka thënë homologut të tij ukrainas, Volodymyr Zelenskyt se Ankaraja i kushton “rëndësi të veçantë” përpjekjeve për të krijuar një korridor të sigurt për eksportimin e produkteve bujqësore ukrainase përmes detit.
Të premten, Zelensky ka thënë se 22 milionë tonë drithë, që përbën gati gjysmën e furnizimit të eksportit të grurit të Ukrainës, po frenohet nga bllokimi i rrugëve kryesore të eksportit nga Rusia përmes Detit të Zi dhe Detit Azov.
Erdogan i ka thënë Zelenskyt se Turqia po bënte çdo përpjekje për të vazhduar negociatat midis Moskës dhe Kievit dhe është e gatshme të ofrojë më shumë mbështetje, përfshirë ndërmjetësimin./21Media

Back to top button