Ministri i Tregtisë merr edhe një vendim tjetër për naftën

Çdo pikë e shitjes së naftës obligohet të tregojë në tabela çmimet e produkteve

Ministri i Tregtisë Endrit Shala ka njoftuar se që nga sot të gjitha pikat e shitjes se produkteve të naftës duhet të vendosin tabelat treguese të çmimit të produkteve të naftës. Sipas Shalës kjo urdhëresë është vendosur për ta mbrojtur konsumatorin.

“Sot kam nxjerr një urdhëresë që obligon të gjithë operatorët ekonomik që ofrojnë shërbime të shitjes së produkteve të naftës që çdo pikë shitëse të vendosin tabelat treguese të çmimeve të produkteve të naftës (Nafta, Benzina dhe GLN). Tabelat treguese të çmimeve të produkteve të naftës duhet ta kenë të pasqyruar permanent çmimin e produktit dhe të vendosen para ose në hyrje të pikës-shitëse dhe të ketë dukshmëri të qartë dhe çmimet të jenë të lexueshme. Kjo urdhëresë është në vazhdën e mbrojtjes së konsumatorit dhe transparencës me çmime, që qytetari i Kosovës duhet të jetë i njoftuar gjithmonë para se të furnizohet me derivate. Ndër prioritetet e mia kryesore është mbrojtja e konsumatorit dhe ne po punojmë çdo ditë që të mbrojmë konsumatorin tonë, t’i rrimë afër duke i kontrolluar produktet për cilësinë e tyre në treg”, ka shkruar ministri Shala në Facebook. ku ka bashkangjitur edhe dokumentin e vendimit.

Ndërkohë raportimi se në Kosovë nafta po shitet 30 centë më shumë se në vendet e rajonit ka nxitur reagimin e Shoqatës së Naftarëve të cilët thonë se Kosova është vendi i dytë në shtetet fqinje me çmimin më të ulët të naftës. Ata siguruan se nuk ka asnjë marrëveshje për ngritje të çmimit dhe ftuan Autoritetin e Konkurrencës të hetojë për këtë./21Media

 

Back to top button