Ministri Latifi mban ligjëratë në Kongresin e Kirurgjisë në Vjenë

Në ditën e dytë të Kongresit Botëror të Kirurgjisë që po mbahet në Vjenë të Austrisë, Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Rifat Latifi, mbajti ligjëratën “Menaxhimi i lëndimeve me potencial për fatalitet dhe traumave të zemrës”.
Në këtë ligjëratë, Latifi foli për menaxhimin e gjendjes kaotike që krijohet në emergjencë gjatë traumave të ndryshme dhe posaçërisht se si duhet të ndahet i gjithë procesi i menaxhimit në segmente të veçanta si në vendet me sisteme të zhvilluara shëndetësore, ashtu edhe në vendet ku mungojnë resurset e duhura si infrastruktura, përgatitja e stafit të traumës, sikurse në Kosovë.
Latifi gjatë ligjëratës ka ndarë edhe përvojat nga ekipi i tij në menaxhimin e traumave gjatë punës si kirurg, dhe ka njoftuar se një nga Qendrat e para të Ekselencës Klinike që do të krijohet në Kosovë është Qendra e Traumës, si nismëtare e sistemit të traumës në Kosovë, së bashku me programin e sub-specializimeve në këtë fushë dhe në kujdesin intensiv kirurgjik.
Ministri Latifi tha se përmes krijimit të sistemit të traumës do të standardizohet kujdesi i gjithë lëndimeve traumatike në tërë vendin dhe do të ngrihen aftësitë klinike të ekipit të traumës, produktiviteti akademik, ku synohet trajnimi i gjeneratës së ardhshme të kirurgëve të traumës, që do të kenë një gamë të gjerë interesash akademike dhe kërkimore, aftësitë arsimore dhe edukative, ku kirurgët e traumës do të marrin pjesë në mësimdhënie dhe mentorim të specializantëve dhe studentëve të mjekësisë, përmes prezantimeve edhe në mjedise klinike dhe zhvillimi i lidershipit me trajnimet shtesë me sub-spcializime për të zhvilluar gjeneratën tonë të ardhshme të udhëheqësve në kirurgji dhe lëmin e traumës.
Ministri Latifi shpjegoi se krijimi i sistemit të traumës kërkon një organizim modern të kapaciteteve njerëzore duke përfshirë stafin e Mjekësisë së Urgjencës, infrastrukturën dhe modalitetet e komunikimit për kujdesin para-spitalor, transportin dhe kujdesin brenda spitalor, përcaktimin e nivelit të qendrave të Traumës bazuar në konceptin e Kolegjit Amerikan të Kirurgëve dhe trajnimin e stafit të traumës dhe urgjencës, si dhe stafit të kujdesit intensiv kritik (si infermierët, ashtu edhe mjekët).
“Kjo do të na ndihmojë jashtëzakonisht për të hartuar ri-organizimin/krijimin e shërbimeve të Qendrës së Urgjencës dhe Traumës. Së fundi, modalitetet e akreditimit duhet të përfshihen në këtë vlerësim të Sistemit të ardhshëm të Traumës dhe Emergjencave në Kosovë”, ka thënë Latifi./21Media

Back to top button