Ministri noton për 12 orë, pas rrëzimit të helikopterit në det

Një ministër i qeverisë në Madagaskar ka thënë se ka notuar për 12 orë pasi helikopteri i tij u rrëzua në det gjatë një misioni.
“Nuk është koha ime për të vdekur”, tha ministri i rraskapitur i Policisë, Serge Gelle ndërsa u shtrua në një barelë.
Dy zyrtarë të tjerë të sigurisë që udhëtonin me të në helikopter gjithashtu i mbijetuan rrëzimit, transmeton rtv21.tv.
Ekipi kishte qenë duke vëzhguar një zonë në pjesën verilindore të vendit ku një varkë pasagjerësh ishte fundosur. Të paktën 39 njerëz vdiqën në atë aksident, thanë zyrtarët të martën.
Është e paqartë se çfarë e shkaktoi aksidentin e së hënës, por Gelle, 57 vjeç, tha pas përplasjes se ai notoi nga “7:30 e natës së kaluar, deri në orën 7:30 të mëngjesit të sotëm” për në Mahambo.
Ai tha se nuk kishte lëndime, por shtoi se ndihej i ftohtë.
“Do të doja që ju ta transmetoni këtë video që ta shihnin familja ime, kolegët e mi, anëtarët e qeverisë. [Unë jam] gjallë dhe mirë”, u tha Gelle fshatarëve në Mahambo.
Shefi i policisë Zafisambatra Ravoavy i tha agjencisë së lajmeve AFP se Gelle kishte përdorur një nga ndenjëset e helikopterit si pajisje lundrimi.
Gelle kishte shërbyer në polici për tre dekada përpara emërimit të tij në gusht si ministër./21Media

Back to top button