Ministri serb i mbrojtjes akuzon Kurtin se po kërcënon serbët dhe Serbinë

Ministri serb i Mbrojtjes, Milosh Vuçeviq, tha se paralajmërimi i kryeministrit të Kosovës Albin Kurti se “barrikadat në veri të Kosovës do t’i heq me çdo kusht” është “kërcënim ndaj serbëve, para së gjithash ndaj atyre që jeotjnë në Kosovë, por edhe kërcënim ndaj Serbisë”.
Vuçeviq i tha televizionit publik serb se deri më tani “nuk ka pasur asnjë kontakt fizik dhe nuk ka pasur sulme mbi bashkësinë serbe”. Serbët lokalë të Kosovës kanë vendosur të paktën nëntë barrikada prej afro dy javësh në pjesën veriore të Kosovës, pas një periudhe të tensioneve me shpërthime dhe të shtëna nga armë zjarri nga grupe të organizuara, që nga institucionet e Kosovës u cilësuan kriminale.
Kryeministri Kurti në një intervistë për media të huaja, ka theksuar se “do të jetë sa më i kujdesshëm për t’u siguruara se s’do të ketë destabilizim” dhe ka shprehur shqetësimin e tij se “nuk mund të përjashtohet mundësia e viktimave nga heqja e barrikadave”.
“Prandaj, ne dëshirojmë që të tregohemi sa më shumë të kujdesshëm për t’u siguruar që të mos ketë destabilizim, por paqe dhe siguri. Megjithatë, ne nuk mund të lejojmë këtë shkelje të ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë përgjithmonë. Kjo duhet të përfundojë, sa më parë aq më mirë”, ka thënë Kurti për mediat ndërkombëtare.
Ministri serb I mbrojtjes, Vuçeviq, ndërkaq tha se serbët në Kosovë “po luftojnë prej 12 ditësh përmes bllokadës së rrugëve dhe “në mënyrë demokratike po luftojnë për të drejtat e tyre njerëzore dhe lirinë”.
Sipas tij, Serbia do të bëjë “çdo gjë të mundshme që I takon asaj” për të tejkaluar krizën./21Media

Back to top button