KFOR-i italian ka dhuruar 18 tabela multumediale për Ministrinë e Arsimit, kontribut në përmirësimin e metodave të mësimdhënies për shkollat në Kosovë. Ministri i Arsimit, Ramë Likaj tha se këto pajisje do të përdorën në 17 komuna dhe do të ndihmojnë në zhvillimin e mësimit në tre skenarët e paraparë.

Likaj tha se janë përpjekur të sigurojnë pajisje të teknologjisë informative në mënyrë që studentët të kenë qasje por që ende janë në proces të implementimit meqë sipas tij, 10 mijë nxënës nuk kanë pasur qasje në mësimin në distancë gjatë fazës së parë.

“Mirëpo javën e kaluar kemi filluar me incizimin e ligjëratave edhe në gjuhën rome, dhe kjo është hera e parë që ndodhë në regjion. Brenda tre javësh mendojmë që të përfundojmë incizimet e ligjëratave. Sot jemi duke pranuar 18 smartbordë nga ju, dhe jemi falënderues për këtë. Këta smartbordë do të përdorën nga shkolla të ndryshme në 17 komuna. Kjo do të shërbejë për digjitalizimin e edukimit por edhe si ndihmesë për zhvillimin e tre skenarëve të mbajtjes së mësimit. Jemi duke bërë furnizimin e shkollave me materiale të ndryshme dhe dezinfektues për fillimin e periudhës së re të mësimit në shkolla. Jemi duke e bërë më të mirën e e mundshme”, tha Likaj.

E komandanti MSU-Carabinieri, kolonel Enzo Simone tha se pajisje të tilla lehtësojnë mënyrën e mësimdhënies në hap me kohën dhe ndihmojnë në përmirësimin e saj.

“Në fazën e vlerësimit të nevojave vendosa të identifikoj qëllimin e duhur në sektorin e arsimit duke menduar për shkollën si vendin parësor ku evoluon mendimi, ku njohuritë përmirësohen për te kontribuar ne krijimin e një shoqëri me të mire, sepse kultura nënkupton mirëkuptim, tolerancë dhe miqësi midis popujve. Ndër hipotezat e ndryshme mendova se tabela multimediale mund te ishte me e dobishme pasi është një faktor në forcimin e mësimdhënies, ne hap me kohen, rinovimin e mënyrës së mësimdhënies dhe të te mësuarit në shkollë, fale përdorimit të teknologjisë informatike”, tha ai.

Projekt i dhurimit të tabelave multimediale, i financuar me fonde nga Ministria e Mbrojtjes përmes Komandës së Samitit të Forcave të Përbashkëta, bën pjesë në aktivitetet që zhvillohen nga ekipi i Bashkëpunimit Civilo Ushtarak të Regjimentit MSU-Carabinieri në mbështetje të institucioneve civile.

Javë më parë, Ministria e Arsimit ka pranuar donacion prej 34 laptopë nga italianët, të cilët janë përdorur për mësimin online.