Ministria e Sportit ofron përkrahje për sportistët me aftësi të kufizuara

Komiteti Paralimpik i Kosovës ka mbajtur sot Kuvendin e punës për vitin paraprak 2021, në të cilin është diskutuar për funksionimin dhe konsolidimin e brendshëm të këtij institucioni si dhe për mbështetjen e sportistëve me aftësi të kufizuara në vendin tonë.
Në njoftimin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit(MKRS) thuhet se nga pjesëmarrësit në këtë Kuvend u theksua nevoja që të bëhet më shumë në zhvillimin e infrastrukturës sportive për sportistët me aftësi të kufizuara në kuadër të Komitetit Paralimpik të Kosovës.
Të pranishëm në këtë ngjarje ishin, ministri i Sportit, Hajrulla Çeku, presidentja e Komitetit Paralimpik të Kosovës, Njomza Emini, kryetari i Forumit Kosovar të Aftësisë së Kufizuar, Bujar Kadriu, dhe kryetari i Shoqatës së të Verbërve të Kosovës, Daut Tishuki.
Ministri Çeku në fjalën e tij ka theksuar se sporti është një nga dimensionet më të rëndësishme për të siguruar që personat me aftësi të kufizuar të jenë pjesë integrale e jetës sonë shoqërore, ekonomike, politike dhe kulturore, duke premtuar përkrahjen e MKRS-së në këtë drejtim.
Qeveria e Kosovës, vitin 2022 e ka shpallur vit i personave me aftësi të kufizuara./21Media

Back to top button