Molliqaj kritikon VV-në dhe LDK-në

“Pazare për pushtetarët, jo mirëqenie për qytetarët”

Sot po mbahet seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës. Pak para fillimit të kësaj seance, i pari i PSD-së, Dardan Molliqaj përmes një reagimi në Facebook u shpreh se shpërfaqja e parë e popullistëve ndodhë kur fillojnë t’i bëjnë vet të gjitha veprimet e qeverive që dikur i kishin kundërshtuar.

Ai reagoi pas deklaratave të kreut të LDK-së, Isa Mustafa i cili sot erdhi me një ofertë të re për VV-në. Tha se LDK është dakorduar që qeveria të ndahet propocionalisht pesë ministri për LDK-në dhe pesë për Vetëvendosjen si partnerë kryesorë qeverisës. “Jemi pajtuar po ashtu që kryeministri dhe një zëvendëskryeministër t’i takojë Lëvizjes Vetëvendosje…ndërkaq zëvendëskryeministri i parë dhe kryetari i Kuvendit t’i takojë Lidhjes Demokratike të Kosovës.”, u shpreh Mustafa.

Pas këtyre deklaratave erdhi reagimi i Molliqajt, i cili u shpreh se pushtetarët po bëjnë pazare për postet.

“Me të drejtë e kundërshtonin bllokimin e shtetit nga PDK-ja dikur, por ja ku po e bllokojnë sot vet për po të njëjtat arsye të PDK-së dikur; Me të drejtë e akuzonin pushtetin e kaluar që po e lë Kosovën pa buxhet, për interesa partiake e personale, por sot vet po e bëjnë këtë për po të njëjtat arsye; Me të drejtë i akuzonin partitë që marrëveshjet qeverisëse po i bazojnë në pazare për kulaçin e pushtetit e jo në program e parime, sot po e shihni se si i kanë shndërruar Ministrin ë e Punëve të Brendshme dhe Presidencën në monedha pazari për po të njëjtin kulaç të pushtetit. Është shpërfaqja e parë, por jo e fundit, e popullizmit të VV dhe LDK-së. Pazare për pushtetarët, jo mirëqenie për qytetarët. Ky mund të jetë slogani i ri i tyre.”, shkroi ai.

Pikë e parë e seancës do të jetë formimi i komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve, për t’u pasuar me betimin e deputetëve. Seanca konstituive do të përmbyllet me zgjedhjen e kryetarit dhe të nënkryetarëve të Kuvendit./21Media

Back to top button