Molliqaj: Tensionet në veri ishin për asociacionin

“Tension për asociacion”, shkruan në banerin e vendosur në objektin e qeverisë nga aktivistët e PSD-së. Në këtë fotografi shihet kryeministri Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq me doreza boksi, ndërkohë që të njëjtit janë edhe duke shtrënguar duart. Në ditën kur do të zhvillohet takimi mes Kurtit e Vuçiqit në Bruksel, PSD ka deklaruar se kundërshtojnë marrëveshje të tilla, ku në qendër është asociacioni.
Kryetari i kësaj partie, Dardan Molliqaj tha se nuk mund të festosh ditëlindjen e Astrit Deharit dhe një ditë pas të nënshkruash marrëveshje, për të cilën ai ka vdekur.
Molliqaj tha se kjo marrëveshje në qendër e ka asociacionin, e jo njohjen. Në këtë situatë, siç tha ai, qeveria duhet të jap dorëheqje dhe vendi të shkojë në zgjedhje.
“Ajo që mund të shihet edhe nga ilustrimi mbrapa, besoj është e vërteta totale e asaj që ka ngjarë në dialogun Kosovë-Serbi. Nga njohja në qendër, në asociacionin në qendër. Pra, qendra e marrëveshjes që sot do të pranohet, e ditëve në vazhdim do të nënshkruhet është asociacioni, i cili në termat juridik e politik është entitet paralel, politik, juridik edhe i sigurisë në Kosovë. Ajo që ne e kemi thënë me kohë, e për fatin e keq të Kosovës doli e vërtetë, të gjitha tensionet në veri kanë qenë tensione për asociacion. Për të justifikuar asociacionin për të mbërri tek kjo pikë që sot është shumë e keqe për Kosovën”, ka thënë ai.
Derisa ka pasur kritika për mos-transparencë në këtë proces, Molliqaj shtoi se për herë të parë po nënshkruhet diçka që nuk e ka lexuar askush.
“Sot Kosova, përkatësisht kryeministri e pranon marrëveshjen në të cilën në qendër e ka asociacionin. Qytetarët e Republikës së Kosovës, mediat madje as deputetët e kuvendit nuk e dinë në saktësi se cila është ajo marrëveshje. Siç e keni parë gjatë gjithë kohës është dukur që Vuçiqi e Kurti janë në një konflikt, e ky ilustrimi mbrapa tregon që gjatë gjithë asaj kohe kur qytetarëve të republikës u është servuar konflikti në Bruksel ka ndodhur marrëveshja. Neve na kanë dhënë konflikt, e Vuçiqit koncesion”, ka shtuar ai.
Molliqaj shtoi se sot nisin kundërshtimin e kësaj marrëveshje, ku ka ftuar qytetarët e aktivistë që t’i bashkohen kësaj kundërshtie.
Sipas tij, kryeministri Albin Kurti nuk ka mandat për një gjë të tillë dhe kështu shkel edhe vullnetin e qytetarëve.
“Nuk mund ta festosh ditëlindjen e Astritit e të nesërmen të shkosh ta shkulësh kauzën e Astritit, ose ta shembësh kauzën e Astritit duke nënshkruar pikërisht marrëveshjen për të cilin ai ka vdekur. Besoj që Kosova nuk ja ka borxh këtë kësaj qeverie, besoj që Qeveria e Kosovës nuk përfaqëson interesin dhe vullnetin tonë publik. Prandaj bëjë thirrje që gjithë atyre që e kanë kundërshtuar përnime, gjithë atyre që janë të shqetësuar përnime të bëhemi bashkë në aksione dhe në protesta që do i organizojmë gjatë kësaj periudhe kohore”, u shpreh ai.
Më tej, theksoi se Kosova nuk ka asnjë arsyeje që të ndajë pushtetin unitar të shtetit në dy pushtete paralele. Molliqaj shtoi se krijimi i bazave etnike në Kosovë nuk prodhon progres e prosperitet.

Back to top button