Rama: Plani franko-gjerman për dialogun më i miri që ka qenë ndonjëherë në tavolinë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se plani franko-gjerman për dialogun Kosovë-Serbi, është më i miri që ka qenë ndonjëherë në tavolinë. Pak orë para takimit të kryeministrit Albin Kurti me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, Rama tha se janë në krah të Kosovës dhe i urojnë Kurtit, kthjelltësi, vendosmëri dhe sukses.
Në konferencë për medie me kryeministrin e Malit të Zi, Dritan Abazoviq, pas mbledhjes së përbashkët qeveritare ku u nënshkruan disa marrëveshje, Rama tha se megjithatë iu mbetet Kosovës dhe Serbisë të vendosin për fatin e tyre.
“Nuk i takon Shqipërisë t’iu thotë palëve në dialog pa kushte me kushte. Kjo është një çështje që i takon palëve në dialog. Janë ata që vlerësojnë, janë ata që kanë përgjegjësinë për të vendosur për vendet e tyre, janë ata që paguajnë kostot e vendimmarrjeve të gabuara. Ajo çka mund të them është se nuk ka asnjë rrugë tjetër. Çdo rrugë tjetër është iluzion që i krijohet popullit për politikë, për vota, për luftëra të brendshme, por që nuk ka lidhje me të ardhmen. Unë dua shumë të shpresojë dhe jam me gjithë zemër dhe mendje i angazhuar që çështja mes Serbisë dhe Kosovës të hyjë në rrugën e një dialogu pa kthim dhe më shpejtë sesa vonë të jetë një çështje e dy vendeve dhe mos të jetë nevoja që superfuqitë t’i marrin për vesh sa herë grinden në oborrin pas shkollës. Mendoj se marrëveshja e bazuar në planin franko-gjerman është më e mira gjë që ka qenë në tavolinë, por ky është thjeshtë një opinion. Unë respektoj sovranitetin e dy palëve për të vendosur për vetën e tyre. Kur vjen puna në këtë rast, Shqipëria, unë personalisht jemi në krah të Qeverisë së Kosovës të cilave unë iu uroj me gjithë zemër kthjelltësi, vendosmëri dhe sukses”, tha ai.
Lidhur me takimin e sotëm Kurti-Vuçiq, foli edhe Abazoviq, i cili tha se plani franko-gjerman sjell normalizimin në rajon.
“Ne sot e kemi nis një mesazh se jemi të gatshëm për bashkëpunim. Besoj se ky mesazh që e nisëm prej Podogrice është universal edhe për shtetet të tjera. Sa i takon qeverisë së Malit të Zi, ne maksimalisht e përkrahim dialogun mes Serbisë dhe Kosovës. Plani franko-gjerman është një plan i mirë se duhet me pas normalizim në rajon, ne nuk kemi të drejtë të themi se çka me bërë dhe si me vepru politikisht, por ajo çka është ardhmëria jonë, është bashkëpunimi”, shtoi ai.
Ndërkohë, gjatë konferencës së përbashkët, Rama ka folur edhe për nismën “Ballkani i hapur”, për të cilin tha se është një domosdoshmëri.
“Unë këmbëngul se Ballkani i Hapur dhe këtu kemi dakordësi të plotë me kryeministrin e Malit të Zi se është i domosdoshëm për të jetësuar me një ritëm më të shpejtë të gjitha ato që janë parime dhe kërkesa që burojnë nga Procesi i Berlinit. Kaq e thjeshtë është kjo dhe natyrisht edhe në këtë samit të radhës, pasi të japim dakordësinë dhe të tjerët do të ftohen të gjithë të jenë pjesë. Nuk ka asnjë kundërshti mes (Procesit të Berlinit dhe Ballkanit të Hapur), por kanë nevojë për njëra-tjetrën. Ne nuk mundemi të mjaftohemi me lidershipin e Berlinit në një proces që është i ballkanit, por duhet të vëmë fuqitë tona të përbashkëta për të jetësuar ato parime dhe ide që janë themele të Procesit të Berlinit”, tha ai

Back to top button