Mosekzekutimi i pagave për grevistët, Miftaraj: Qeveria veproi kundërligjshëm

Pezullimi ose mosekzekutimi i pagave për grevistët është veprim represiv dhe i kundërligjshëm i Qeverisë së Kosovë.
Kështu deklaroi për rtv21.tv Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi. Sipas tij, Qeveria është duke e lexuar gabimisht ligjin për grevën.
“Ligji per grevën përcakton në mënyrë taksative se ky ligj ka për qëllim garantimin e lirive dhe të drejtave, lidhur me organizimin dhe pjesëmarrjen e të punësuarve në Kosovë në grevë sipas standardeve ndërkombëtare. Organizata Ndërkombëtare e Punës ndër të tjera ka lëshuar opinion ligjor lidhur me pezullimin e pagave për grevistë, duke kërkuar nga shtetet anëtare që këtë çështje ta rregullojnë në bazë të kontestit të secilit shtet veç e veç, ku theks të veçantë i kushtohet faktit që të mos cenohet e drejta në grevë”, tha Miftaraj.
Ai shtoi se duhet pasur parasysh se e drejta e grevës është garantuar në kuadër të veprimeve sindikale dhe në këtë drejtim nëse grevistët në njëfarë forme penalizohen për grevën e tyre, vetë grevës i humb kuptimi.
Për këtë arsye, Miftaraj thotë se Instituti i Kosovës për Drejtësi e ka parë me shumë shqetësim kërkesën që t’u ndalen pagesat secilit person që merr pjesë në grevë dhe në fakt është cenim i të drejtave të punëtorëve të cilët përmes grevës dëshirojnë dhe bëjnë presion ndaj Qeverisë që t’i realizojnë kërkesat e tyre.
“Neni në të cilën thirret Ministria e Financave nuk qëndron sipas atij interpretimi që thotë ajo për shkak se në rastin konkret bëhet fjalë për detyrimet të cilat i kanë punëtorët në raport me punën e tyre. Kjo qasje e ministrisë së financave, mund të implikojë edhe përgjegjësi penale për shkak se cenimi i së drejtës në grevë kur bëhet përmes veprimeve të kundërligjshme hynë edhe në fushën penale dhe kemi të bëjmë edhe me përgjegjësi penale”, tha Miftaraj për rtv21.tv
“E para që duhet të bëjë është që Ministria e Financave të tërhiqet nga ky vendim dhe nëse vazhdon të aktivizohet edhe prokuroi i shtetit në drejtim të hetimit të këtij rasti për të konstatuar nëse kemi ose jo vepër penale”, shtoi Miftaraj.
Qeveria e Kosovës sot konfirmoi se nuk do të dalin pagat për ata që ishin në grevë.
“Për muajin shtator, pagesat në sektorin publik janë ekzekutuar për zyrtarët të cilët kanë dalë në punë dhe kanë kryer detyrat dhe përgjegjësitë e tyre. Paga mujore është kompensim për punë. Në raste të grevave, kjo çështje përcaktohet në ligjin për Greva”, ka thënë Përparim Kryeziu, zëdhënës i Qeverisë së Kosovës.
Kujtojmë se greva e mësimdhënësve dhe punëtorëve të administratës publike filloi më 25 gusht 2022, ndërsa u pezullua më 1 tetor 2022./21Media

Back to top button