Mbyllet afati për çmimin “Artistët e së nesërmes”

Është mbyllur thirrja për aplikim për çmimin “Artistët e së nesërmes”.
“Thirrja e hapur këtë vit solli një grup të ndryshëm prej 17 artistësh të rinj, nga të cilët 11 kanë përmbushur kriteret”, thuhet në deklaratë.
Çmimi “Artistët e së nesërmes” është një projekt cili u ofron artistëve të rinj pamorë nën moshën 35 vjeç mundësinë për të prodhuar vepra të reja, të jenë pjesë e një procesi arsimor, të kenë takime dhe prezantime me një juri ndërkombëtare dhe të kenë një ekspozitë të përbashkët me finalistët në Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë.
Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë ka falënderuar të gjithë artistët që aplikuan në edicionin e vitit 2022 të Çmimit “Artistët e së nesërmes”.
Fituesi/ ja i/e çmimit “Artistët e së nesërmes” 2022 do të shpërblehet me qëndrim dy mujor në Nju Jork, SHBA, në programin rezidencial për artistë të Residency Unlimited, gjatë periudhës prill / maj 2023, dhe ekspozitë personale në kuadër të programit vjetor të ekspozitave të Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë të vitit 2024.
Juria ndërkombëtare do të zgjedhë tre finalistët që do të prezantojnë punën e tyre në ekspozitën e finalistëve të çmimit “Artistët e së nesërmes” 2022, që do të hapet me 9 nëntor 2022 në Klubin e Boksit në Prishtinë.
Finalistët e çmimit “Artistët e së nesërmes” 2022 do të përzgjedhen në bazë të shqyrtimit të portfolios së tyre artistike, arritjeve dhe ekspozitave të mëparshme dhe potencialit të demonstruar.
Sipas njoftimit, anëtarë të Jurisë së Çmimit “Artistët e së nesërmes” 2022 janë Anne Barlow, drejtoresha e TATE St Ives, Miljana Dunđerin, artiste, drejtoreshë e Qendrës Kulturore private “Akvarijus”, Mitrovicë, Laura Raicovich, shkrimtare, kuratore, Nju Jork, Bernhard Rüdiger, artist, profesor në École Nationale des Beaux Arts në Lyon, Driton Selmani, artist, Kosovë.
“I urojmë fat të mirë për aplikantët e këtij viti dhe i falënderojmë edhe një herë për paraqitjet e tyre emocionuese dhe prekëse”, përfundon njoftimi./21Media

Back to top button