Moti i keq në Elbasan, Shkumbini shkakton përmbytje

Gjatë gjithë ditës të djeshme në qarkun Elbasan ka pasur reshje të shumta shiu,  gjë që ka sjellë prani të inerteve, gurëve e aluvioneve në akset nacionale e ato rurale në të gjithë qarkun.
Akset nacionale
Elbasan-Qafë Thanë te kthesat e Murrashit
Cërrik-Gramsh-Moglicë në gjithë gjatësinë
Elbasan-Gjinar.
Më problematike ka qenë situata në aksin nacional Librazhd-Zgosht, ku ka pasur rënie të një masivi dheu. Në asnjë moment nuk është ndërprerë qarkullimi i mjeteve dhe firmat kontraktuese kanë qenë gjatë gjithë kohës në terren.
Gjithashtu, janë shkaktuar disa problematika në Bashkinë Elbasan si në Nj.A Shushice, ku Kolektori i ujrave të larta ka sjellë prurje të ngurta dhe ka dëmtuar argjinaturën e kanalit, duke dalë në dy anët e duke shkaktuar përmbytje të tokave aty pranë.
Është ndërhyrë nga Ashp e bashkisë për riparimin e argjinaturës e për të eleminuar rrezikun e përmbytjes së banesave.
Në fshatin Mlizë diga e rezervuarit Mlizë është rrezikuar nga prurjet e shumta, janë marrë masa të menjëhershme me uljen e shkarkuesit dhe uljen e nivelit të ujit rreziku është kaluar.
Në Fshatin Muriqan lumi Shkumbin pengon kullimin e ujrave për shkak të nivelit të lartë dhe ka disa përmbytje të vogla prej 1 ha.
Përsa i përket furnizimit me energji elektrike ka pasur ndërprerje të vazhdueshme në disa zona. Në bashkinë Gramsh për shkak të transformatorit të tensionit të lartë në Shtërmen ka pasur ndërprerje të energjisë gjatë gjithë ditës. Defekti është eleminuar në orën 18.30 të së hënës, 29 nëntor.
Po punohet aktualisht për riparimin e linjave të furnizimit në Nj.A Gracen e Xibrake të bashkisë Elbasan.
Aktualisht NJ.A Orenje, Lunik janë pa energji elektrike si dhe Fidri i Shpatit në Elbasan.
Ndërkohë, të gjitha bashkitë e tjera janë në rregull./oranews

Back to top button