MPB: Situata dhe masat për shkak të zjarreve

Rreziku nga zjarret ende evident në Shqipëri

Ministria e Punëve të Brendshme dhe Emergjencat Civile në Shqipëri, bënë të ditur sot se temperaturat mbeten ende të larta në vend dhe rreziku i zjarreve është evident.

MPB në një publikim zyrtar thekson se përgjatë 24 orëve të fundit ka patur 2 vatra zjarri në pyje në Dibër dhe Vlorë, me dëme të konsiderueshme, ndërsa shërbimet zjarrfikëse kanë ndërhyre megjithë vështirësitë e terrenit.

Po ashtu, jepen të dhëna për Qarku Dibër, ku thuhet se “Në fshatin Zogjë, Njësia Administrative Shupenzë, Dibër, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me pyll ahu. Shërbimi vendor i MZSH Dibër, ka shkuar në vendngjarje dhe ka punuar me mjete rrethanore gjatë natës deri në mëngjes për shuarjen e zjarrit për shkak të terrenit të thyer malor. Në ndihmë për shuarjen e zjarrit kanë shkuar dhe punonjës nga Agjencia e Zonave të Mbrojtura si dhe banorë të zonës. Pas një pune të gjatë, zjarri është shuar. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe rreth 5 dynym me pyll ahu”.

Edhe në Qarku Vlorë, në fshatin Zvërrnec, Njësia Administrative Qendër, Vlorë, ka rënë zjarr në një sipërfaqe pyjore me shkurre dhe pisha. Shërbimi vendor i MZSH Vlorë ka shkuar në vendngjarje dhe ka punuar për shuarjen e zjarrit. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe rreth 2 dynym me shkurre dhe pisha, ndërsa një gabinë elektrike që ndodhej afër zjarrit pësoi dëme materiale.

Zjarre ka patur edhe në Qarkun Elbasan, në fshatin Malasenj, ka rënë zjarr te një hotel. Shërbimi vendor i MZSH të bashkisë Elbasan ka dërguar në vendngjarje automjete zjarrfikës me personel, të cilët kanë shuar me shpejtësi zjarrin qe nuk ka krijuar dëme.

“Ne çdo prefekture janë ngritur shtabet e emergjencës dhe janë në gadishmeri për të përballuar çdo situatë. Ndërkohë, Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile përsërit thirrjen ndaj të gjithë qytetarëve që në rast se konstatojnë zjarre, të njoftojnë menjëherë në numrat e emergjencave 112, 129, apo në Qendrën Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile në numrin 06941 10 198”, thuhet nga MPB.

Back to top button