MSH: Familjarët t’i regjistrojnë për vaksinim personat me aftësi të kufizuara

Ministria e Shëndetësisë kërkoi nga qytetarët të cilët kanë familjarë me aftësi të kufizuara, të cilët ende nuk janë vaksinuar kundër COVID-19, që sa më parë që kanë mundësi t’i regjistrojnë në qendrën e vaksinimit në komunën përkatëse, me qëllim të organizimit të vaksinimit të tyre përmes ekipeve mobile.
“Deri më tani, ekipet mobile të vaksinimit në nivel vendi kanë vaksinuar një numër të konsideruar të qytetarëve me aftësi të kufizuara, sipas të dhënave që kanë pasur komunat dhe kërkesave të vet qytetarëve, por me qëllim që të vaksinohet secili, qytetarët luten të bashkëpunojnë për regjistrimin dhe vaksinimin e tyre”, thuhet në njoftimin e MSH-së.
Për regjistrim është i nevojshëm një dokumenti identifikimi i vlefshëm i personit më aftësi të kufizuara, kontakti dhe adresa e banimit.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës sot u bëri thirrje qytetarëve të vendit që të vaksinohen kundër COVID-19.
IKSHPK kërkoi që qytetarët të mos lejojnë mbylljen si pasojë e pakujdesisë, duke theksuar edhe se mos të neglizhohet virusi.
Prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 333 mijë e 705 doza të vaksinës, ndërsa deri më sot 99 mijë e 377 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë./21Media
 
 

Back to top button