MSH: Specialistët e papunë do të sistemohen në afat sa më të shpejtë të mundur

MSH ka thënë se shpallja e vendeve të punës për mjekët është bërë në bazë të kërkesave

Ministria e Shëndetësisë përmes një komunikate për media të martën ka sqaruar se shpallja e konkurseve për vendet e punës për mjekët specialistë është bërë sipas kërkesave të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK), njësive të saj përbërëse, spitaleve të përgjithshme, Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike (IKSHP) dhe Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut (QKTGJ).

Deklarata e Ministrisë së Shëndetësisë vjen pasi që një grup i specialistëve të papunë kanë protestuar sot për mbylljen e konkursit, i cili ishte i hapur më 21 mars të këtij viti që kishte për qëllim të punësojë rreth 220 specialistë.

Arben Ahmeti, përfaqësues i specialistëve të papunë, u ka bërë thirrje MSH-së, Inspektoratit të Punës dhe Shërbimit Spitalor klinik Universitar të Kosovës që t’i lënë anash mosmarrëveshjet dhe të mos e anulojnë konkursin, por të na mundësojnë realizimin e kërkesës së vetme, punësimin e tyre në institucionet publike të Kosovës.

Ndërkaq, Ministria e Shëndetësisë dëshiron të sqarojë se në vazhdimësi është preokupuar me kërkesat e specialistëve, të cilat i ka diskutuar me nivelet më të larta vendimmarrëse në vend dhe me vet profesionistët në kërkim të zgjidhjeve sa më praktike.

Si rezultat i angazhimeve konkrete dhe sigurimit të informatave të plota për numrin e specialistëve të papunë dhe profilet e tyre që për herë të parë në Kosovë si proces është kryer nga Ministria e Shëndetësisë vitin e kaluar, me lejim të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe futjen e vendeve të lira për punësimin e tyre në Ligjin për Buxhetin e Kosovës 2017, të miratuar në Kuvendin e Kosovës, Ministria e Shëndetësisë i ka angazhuar rreth 220 mjekë specialistë në punë, në dy periudha kohore nga tre muaj (nëntor-dhjetor 2016 dhe janar-mars 2017), për të siguruar për ta hapjen e konkurseve për pranin në marrëdhënie të rregullt pune: Konkursi i parë është shpallur më 21 mars 2017, kurse konkursi plotësues më 14 prill 2017, thuhet në komunikatë.

MSH shpreh keqardhje që inkuadrimi në punë të përhershme i specialistëve në SHSKUK është shtyrë për shkak të kërkesës së Inspektoratit të Punës që konkursi për këtë shërbim të anulohet, derisa konkursi për IKSHP dhe QKTGJ është në zhvillim e sipër.

Duke shprehur vërejtjet e saj ndaj kërkesës së Inspektoratit Shëndetësor, të cilën MSH e ka ankimuar në afatin ligjor në institucionet kompetente, MSH siguron specialistët e papunë se do të bëjë çfarë është në përgjegjësinë e saj që ata të sistemohen në afat sa më të shpejt që të jetë e mundur në punë të përhershme.

Ministria, po ashtu, shpreh keqardhjen dhe shqetësimin e saj, që kjo situatë rreth specialistëve të papunë, po përdoret, siç thuhet, edhe për adresime të tjera jashtë interesit të vetë specialistëve mjekësorë.

Artikuj të ngjashëm

Back to top button
close button