MSH: Tre vaksina të reja në mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se për herë të parë pas një dekade, kalendarit të rregullt të imunizimit në Kosovë i janë shtuar edhe tre vaksina.

Bëhet fjalë për:

– Vaksina HPV, kundër kancerit të qafës së mitrës;
– Vaksina kundër rotavirusit;
– Vaksina kundër pneumokokut e meningjitit.

Këto vaksina janë siguruar nga Ministria e Shëndetësisë bazuar në planifikimin e bërë nga IKShPK. Tashmë janë bërë të gjitha përgatitjet dhe nga data dy (2) tetor, ka filluar zbatimi i kalendarit të ri.

Zgjerimi i kalendarit të rregullt të vaksinimit me tre vaksina të reja, është në kuadër të angazhimeve për të mbrojtur popullatën nga sëmundjet serioze infektive që rrezikojnë shëndetin, të cilat përmes vaksinimit janë të parandalueshme.

“Imunizimi është një nga ndërhyrjet kyçe për mbrojtjen e popullatës nga sëmundjet infektive. Për këtë arsye, Plani i Veprimit për Vaksinim 2022-2025 i Ministrisë së Shëndetësisë ka paraparë zgjerimin e Kalendarit të vaksinimit me këto tre vaksina si një intervenim i drejtpërdrejt për të ulur rrezikun e sëmundjeve dhe vdekshmërinë nga kanceri i qafës së mitrës; infeksionet me Rotavirus te fëmijët dhe sëmundje të ndryshme që shkaktohen nga tipe të ndryshme të Pneumokokut”, tha ministri Vitia.

Ministri Vitia falënderoi të gjithë punonjësit shëndetësorë në Kosovë që për vite të tëra e kanë implementuar me sukses Programin e Zgjeruar të Imunizimit (PZI), duke e theksuar në mënyrë të veçantë edhe kampanjën e shkëlqyeshme të vaksinimit kundër COVID-19, e cila falë punës së përbashkët, bëri që në mesin e shteteve të Ballkanit Perëndimor, Kosova të shënojë suksesin më të lartë në vaksinimin kundër COVID-19.

Ai, gjithashtu, falënderoi OBSH-në, UNICEF-in, USAID-in dhe shtetet mike të cilat e ndihmuan fuqishëm këtë proces dhe janë pjesë e këtij suksesi të përbashkët.

Synimi tjetër i rëndësishëm është që të rritet shkalla e vaksinimit në mesin e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, të cilët kanë shkallë më të ulët të vaksinimit krahasuar me komunitetet e tjera për shkak të faktorëve të ndryshëm shëndetësor, arsimor, mjedisor e social.

Rritja e shkallës së vaksinimit synohet të realizohet përmes sigurimit të vaksinave, shpërndarjes me kohë të tyre dhe rritjes së ndërgjegjësimit të popullatës për rëndësinë e vaksinimit.

Sa i përket aspektit të sigurisë, ministri Vitia bëri të ditur se përdorimi i tre vaksinave të reja është bërë bazuar në rekomandimet e organizatave kredibile si Organizata Botrore Shëndetësisë, CDC, ECDC dhe se dëshmitë shkencore flasin qartë për efikasitetin dhe sigurinë e tyre./21Media

Back to top button