MSh: Vendimi s’kërkon domosdoshmërisht dëshminë e vaksinimit me tri doza të vaksinës për të hyrë në Kosovë

Për masat e fundit kundër COVID-19 të ndërmarra nga Qeveria e Republikës së Kosovës, Ministria e Shëndetësisë sot ka shpjeguar se të gjitha masat e ndërmarra kanë qenë rezultat i analizës së rregullt të situatës epidemiologjike në vend, konsultimeve me profesionistët shëndetësor dhe Komisionin këshill-dhënës lidhur me COVID-19, të cilat janë trajtuar në Komitetin për koordinim dhe vlerësim lidhur me COVID-19, ku përfaqësohen institucionet përgjegjëse për menaxhimin e situatës me COVID-19.
Sipas ministrisë, vendimi nuk kërkon domosdoshmërisht dëshminë e vaksinimit me tri doza të vaksinës për të hyrë në Kosovë, duke pasur gjithashtu mundësinë e hyrjes me dy doza bashkë me praninë e testit negativ RT PCR jo më të vjetër se 48 orë, rregull që është praktikuar edhe nga shtete te tjera.
“Vendimi parasheh lehtësim për ata me tri doza të vaksinës, për shkak të rrezikut dukshëm më të ulët për t’u infektuar, derisa shtetasit e Republikës së Kosovës mund të hyjnë në vend duke qenë të vaksinuar vetëm me dy doza, pa pasur nevojën e prezantimit të testit negativ RT PCR, dhe po ashtu edhe nëse nuk i kanë dy doza të vaksinës, por duke iu nënshtruar karantinimit shtëpiak për një periudhë prej shtatë ditësh që nga hyrja në territorin e Republikës së Kosovës.”, është bërë e ditur në komunikatë.
Ministria e Shëndetësisë ka rikujtuar se nga mesi i javës së kaluar Kosova ka parë një rritje të shpejtë të raste të COVID-19, duke shkuar deri në mbi 3.000 raste të reja në ditë, dhe kjo ka ndikuar edhe në rritjen e numrit të pacientëve në spitale, ndërkaq siç ka theksuar, shkalla e lartë e vaksinimit është thelbësore në mënyrë që sistemi shëndetësor të mos mbingarkohet, e në këtë drejtim të minimizojmë rastet e vdekjeve.
“Duke pasur parasysh që vendimi për masat kundër COVID-19 vlen për periudhën deri me 04 Shkurt 2022, dhe se bazohet në vlerësimin e situatës së intensitetit të përhapjes dhe kapacitetit të sistemit shëndetësor për t’u përgjigjur, por duke i vlerësuar ato edhe nën dritën e efekteve të këtyre masave që mund të ketë në mirëqenien e përgjithshme të shoqërisë dhe individëve. Mekanizmat kundër COVID-19 do të monitorojnë në baza ditore situatën epidemiologjike lidhur me COVID-19 dhe deri në fundin e javës, institucionet tona do të mund të kenë një pasqyrë më gjithëpërfshirëse se cili ka qenë ndikimi i rritje së rasteve të COVID-19 në ngarkesën spitalore dhe në varësi të kësaj, si dhe të numrit të rasteve të reja gjatë ditëve në vijim, të gjitha masat do të mund të rishikohen.”, është bërë e ditur në reagimin e MSh-së.
Ndryshe, qytetarët e Kukësit kanë protestuar në kufirin Shqipëri-Kosovë, në Morinë. Ata kanë kërkuar heqjen e masës për hyrje në Kosovë me tri dozat e vaksinës kundër Covid-19.
Shkupi zyrtar dje ka reaguar ndaj masave të reja anticovid të Kosovës. Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka kërkuar nga Prishtina zyrtare që të rishqytojë këto masa. Ndërsa sot, kryetari i komunës së Bujanocit, Nagip Arifi i ka shkruar kryeministrit të Republikës së Kosovës Albin Kurti, për vendimin e fundit të Qeverisë së Republikës së Kosovës rreth masave shtrënguese për hyrje daljet në Kosovë. Në letrën e dërguar sot Kurtit, ai ka shkruar se obligimi për vaksinë me dozën e tretë, apo edhe ata që janë vaksinuar me dozën e dytë dhe testi PCR po e pamundëson lëvizjen e qytetarëve
Sipas masave të reja të Qeverisë, të cilat kanë hyrë në fuqi që nga 22 janari, çdo person, i cili hyn në Republikën e Kosovës duhet të posedojë: Certifikatën e vaksinimit me tri (3) doza (ose me një dozë të vaksinës Janssen dhe dozë përforcuese) kundër COVID-19; Certifikatën e vaksinimit me dy doza (ose me një dozë të vaksinës Janssen) kundër COVID-19, bashkë me testin RT-PCR negativ për COVID-19, jo më herët se 48 orë para nisjes (për udhëtarët që hyjnë në rrugë ajrore) ose 48 orë para mbërritjes në pikën kufitare (për ata që hyjnë në rrugë tokësore)./21Media

Back to top button