Munishi: Rasti i 11- vjeçares u trajtuar me urgjencë, e padrejtë kërkesa për dorëheqje

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kujtim Munishi për herë të parë zgjodhi që të flas për rastin e dhunimit të 11 vjeçares para anëtarëve të Komisionit parlamentar për të Drejtat e Njeriut.
Kryeprokurori Munishi u shpreh se Prokuroria me kohë ka marrë të gjitha veprimet për rastin e së miturës. E kërkesën për dorëheqjen e tij e konsideroi tendencioze dhe të padrejtë.
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë Kujtim Munishi e quajti të papranueshëm dhe të pakuptimtë gjykimet për rastin e vajzës 1 vjeçare e cila dyshohet se është dhunuar seksualisht nga pesë persona në gusht.
“Është e padrejtë ka qenë e padrejtë shumë jo profesionale që të jepet një gjykim jo i drejtë pa i parë shkresa e lëndës kjo ka ndodhur në rastin e fundit, kjo ka ndodhur edhe në rastin e mëhershëm ku mediat japin informacione të pavërteta për veprimet e Prokurorisë e të paktën asnjë person nuk i ka parë shkresat e lëndës që i ka pasur Prokuroria”, ka thënë ai.
Reagoi deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Tinka Kurti për mosveprimin e prokurorisë në rastin e dhunimit të 11 vjeçares në qershor.
“Pse nuk janë arrestuar në qershor personat e dyshuar për dhunimin e saj pse u deshtën dy muaj”, pyeti Kurti.
“Me qëllim të gjetjes dhe identifikimit të të dyshuarve të mundshëm më 24 qershor hetuesit e drejtorisë për trafikim me qenie njerëzore kanë paraqitur kërkesë në Prokurori për sekuestrimin dhe ekzaminimin e telefonit të viktimës sepse nëse nuk ishte ekzaminuar telefoni e kemi pasur të pamundur t’i identifikojmë kryesit e kësaj vepre penale apo veprave tjera sepse viktima për disa persona të cilët është supozuar që e kanë keqpërdorur seksualisht nuk ua ka ditë të dhënat personave por i ka ditur vetëm pseudonimet”, theksoi ai.
Pas raportimit të rastit të dhunimit të 11-vjecares, aktivistë të shoqërisë civile kishin kërkuar dorëheqjen e kryeprokurorit Munishi.
Deputetja Kurti u shpreh se një shoqëri e tërë ka kërkuar dorëheqjen e tij.
“Një fëmijë është dhunuar dy herë, një prokurori e ka lejuar e cila nuk ka dhënë asnjë përgjegjësi e ki një shoqëri të tërë që ia ka kërkuar dorëheqjen dhe ne i shohim këtë datë, këtë datë”, tha Kurti.
Kryeprokurori Munishi e konsideroi të padrejtë kërkesën për dorëheqje.
“Me cilën arsye e nderuar deputete ti kërkon dorëheqjen, cila është arsyeja ligjore me kërkuar dorëheqjen…Kurti: Me dhunimin e përsëritur të vajzës a po të duket pak a, a nuk keni pak moral me dhënë dorëheqje me të vërtetë. Një fëmijë është dhunuar në formë të përsëritur dy herë… Absolutisht e gabueshme dhe tendencioze e njëanshme e përmendi kryesuesi i KGJK që nëse ka dështuar një hallkë nuk do me thënë që ka dështuar e vetmja hallkë po ka dështuar sistemi”, ishte debati në mes Kurtit dhe Munishit.
Ndërsa, kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj tha se lënda është në hetim dhe çdo diskutim që vjen nga këshilli mund të diskutohet si influencë mbi rastin.
“Ne mund të japim krejtësisht informata të kufizuara për çështjet që po flasim për atë sa mund të quhet fenomen. Ashtu siç e kemi thënë si KGJK publikisht, ky rast nuk ka qenë në gjykatë asnjëherë më përpara sepse është diskutuar gjerë e gjatë se ky rast ka një histori, por për herë të parë ky rast është tash në kohën e fundit”, ka thënë Zogaj.
Rasti i dhunimit të vajzës 11 vjeçare e cila dyshohet se është dhunuar nga 5 persona ngjalli reagim të madh në shoqëri, më ç’rast u organizuan edhe protesta. Për rastin trajtim me urgjencë kishte kërkuar edhe drejtuesit e institucioneve të Kosovës./21Media

Back to top button