Rasti Dehari, SHKK-ja pezullon nga puna dy zyrtarë

Shërbimi Korrektues i Kosovës njoftoi se ka pezulluar nga puna Burim Buleshkajn, ish ud. drejtor i Departamentit për Operativë Siguri dhe Transport të të Burgosurve në SHKK, aktualisht udhëheqës për Administratë në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë, si dhe Destan Zogajn, zyrtar korrektues, ish ud. drejtor në Qendrën e Paraburgimit Prizren.
Ndaj tyre është iniciuar procedurë disiplinore për shkelje të rëndë lidhur me veprimet, mosveprimet në rastin e ngjarjes së rëndë në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, të vitit 2016.
Komisioni Disiplinor i Shërbimit Korrektues të Kosovës ka vlerësuar se ushtrimi i deryrës në funksionet të cilat i kanë, pengon hetimin disiplinor apo mund të cenojë ushtrimin e përshtatshëm të detyrës.
“Andaj, Komisioni Disiplinor i Shërbimit Korrektues të Kosovës vendosë pezullimin e nëpunësve civil, për të vazhduar tutje me procedurat hetimore dhe të rishqyrtimit të të gjitha rrethanave lidhur me ngjarjen dhe përgjegjësitë”, thuhet në njoftim.
Kujtojmë se në nëntor të vitit 2016, ka vdekur aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, që po mbahej në Qendrën e Paraburgimit në Prizren./21Media

Back to top button