Murati prezanton masat e reja, prioritet mbështetja për punësim
Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, deklaroi sot se është koha që shteti të intervenojë me pakon e rimëkëmbjes ekonomike, të cilën e ka prezantuar sot në një konferencë për media pas raportimit të 100-ditëshit të Qeverisë Kurti 2.
Ai ka thënë që prioritet e kanë mbështetjen e punësimit duke theksuar kthimin në punë të atyre që e kanë humbur vendin e punës si pasojë e pandemisë.
Murati ka thënë se pako është e përfshirë tashmë në buxhetin e rishikuar të cilin e kanë miratuar ditë më parë në qeveri dhe se shuma e saj e përgjithshme është 420 milionë euro. Ai ka qartësuar se financimi nga të hyrat buxhetore është 190 milionë, ndërsa 230 milionë të tjera janë financim nga huamarrja.
“Sa u përket masave janë të ndara në pesë kategori, duke filluar me mbështetjen e punësimit, meqenëse siç e kemi thënë ky është prioriteti ynë dhe vazhdon të mbetet. Masa e parë ka të bëjë me rikthimin në punë të atyre që kanë humbur vendin e punës gjatë pandemisë dhe do të mbështesim për tre muajt e parë për secilin të rikthyer në punë me nga 170 euro. Masa e dytë do të jetë mbështetja për të punësuarit e formalizuar. Pandemia na ka treguar që formalizmi i ekonomisë është i rëndësishëm nëse duam të ecim si shtet përpara, por edhe kur shteti duhet t’u ndihmojë bizneseve, andaj për të gjithë të formalizuarit dhe të punësuarit e ri, të cilët nuk kanë qenë të deklaruar më parë do të mbulojmë për 12 muaj me radhë 10% të kontributeve pensionale”, ka thënë Murati.
Për më tepër, ministri Murati ka bërë të ditur se masat tjetra përfshijnë edhe mbështetjen për gratë.
“Masa tjetër ka të bëjë me mbështetjen e punësimit të grave duke i konsideruar që janë gjysma e shoqërisë sonë, mirëpo përfaqësimi në tregun e punës është minimal, kemi paraparë që tre muajt e parë secilës grua që punësohet rishtazi ta mbështesim me 50% të pagës deri në një maksimum prej 150 euro, pas këtij tremujori, pra do të përfshihen në masën e dytë atë të formalizmit ku pas tremujorit do të vazhdojë 10% për 12 muaj”, ka thënë Murati.
Masa tjetër, sipas ministri Murati parasheh punësimin e garantuar për të rinjtë ku ka theksuar që synojnë të fillojnë me punësim masiv duke ofruar punësim për ata që futen për here të parë në tregun e punës. Në mesin e masave, ministri Murati tha se parashihet edhe trajnimi dhe punësimi në teknologjinë informative.
“Do të ofrojmë kupon për të gjithë të rinjtë që janë të interesuar të marrin aftësi të reja, në trajnime apo kurse të teknologjisë informative, pas përfundimit të kursit apo trajnimit do të mbështesim edhe punësimit për tre muajt e parë”, ka thënë ai.
Ndërsa për personat me nevoja të veçanta, ministri i Financave ka thënë se do të mbështeten me 50% të pagës, deri në 150 euro në muaj, për 6 muajt e parë.
Ministri Murati ka thënë se të gjitha masat e prezantuara do të fillojnë këtë vit, dhe për shkak të kohëzgjatjes, disa mund të vazhdojnë edhe për vitin e ardhshëm.