Murati thotë blerja e librave nga prindërit ka efekte pozitive
Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati konsideron se mënyra e mëparshme ku nxënësit furnizoheshin me libra çdo vit ka pasur efekte negative, përkundër qëllimit fisnik që mund të ketë pasur.
Sipas tij, me shtypjen e librave çdo vit dhe shpërndarjen e tyre tek nxënësit, ka ndikuar në aspektin e cilësisë dhe në shpenzimet e buxhetit.
Në seancën e sotme plenare të Kuvendit të Kosovës, ministri Murati vlerësoi si metodë më të mirë, blerjen e librave nga vetë prindërit, ngase sipas tij tekstet zgjidhen me më kujdes sa i përket cilësisë dhe mund të ruhen për disa vite që të përdoren nga gjeneratat e tjera.
“Çështja e librave të financuara apo të siguruara nga shteti në fillimet e saj mund të ketë qenë edhe një synim fisnik, nëse do të flisnim sipërfaqësisht…Megjithatë, përgjatë rrugëtimit kemi parë se është stërkeq kjo metodë dhe stërkeqja ka ardhur qoftë nga mekanizmi dhe mënyra se si është përzgjedhur apo edhe nga rregullimet ligjore që janë bërë në të kaluarën…Stërkeqja ka ardhur në aspektin e sasisë vjetore të librave. Për shembull nëse para 15 viteve, në klasën e parë kanë qenë dy libra, abetarja dhe matematika, për shkak të këtij mekanizmi të krijuar ku shteti paguan pavarësisht sa libra janë të nevojshme, ka pasur incentive që shtëpitë botuese që ndoshta t’i korruptojnë komisionet të cilat kanë caktuar kurrikulat se çfarë libra duhet të ketë dhe tash kemi përfunduar që klasa e parë t’i ketë 14 libra…Çështja e dytë që e stërkeq apo që ka ndikuar pastaj edhe në mos shfrytëzim efikas të buxhetit ka qenë edhe cilësia e vetë librave dhe ruajtja e tyre. Nëse në të kaluarën një libër e ka blerë vetë prindi dhe ka vendosur cilin libër po e merr e ka shikuar që libri të jetë I cilësisë dhe të jetë i lidhur mirë dhe të jetë I qëndrueshëm. Po ashtu, është siguruar që libri të ruhet sepse ka qenë pronë e familjes. Ka pasur edhe aspekti i cilësisë, kursimit buxhetor por edhe aspektin ambiental. Nuk ka pasur nevojë të shtypen 300 apo 400 mijë libra çdo vit”, tha Murati.
Gjatë seancës plenare, në të cilën po diskutohet për formimin e Komisionit Hetimor Parlamentar për procesin e subvencionimit të blerjes së teksteve shkollore dhe mjeteve mësimore për nxënësit, Murati potencoi se koha kur prindërit blinin vetë tekstet shkollore për fëmijët, ndonëse ka qenë i imponuar si mekanizëm, ka pasur efekte pozitive.