Murati thotë se opozita s’e ka hallin e qytetarit e as të shtetit

Ministri i Financave, Hekuran Murati, akuzoi partitë opozitare që nuk e kanë hallin e qytetarit e as të shtetit, duke thënë se ato e pamundësuan votimin e anëtarëve të Bordit të Trustit.

Murati shkroi në “Facebook” të enjten, se opozita përhapte panik për rrezikimin e mjeteve të Trustit nga mungesa e Bordit, e tash tha se ajo s’mori pjesë në Komisionin për Buxhet, duke pamundësuar kuorumin.

“Para disa muajsh opozita bënte alarm e shpërndante panik se si gjoja mjetet e Trustit po rrezikoheshin për shkak të mungesës së bordit. E njëjta opozitë sot në Komisionin Parlamentar për Buxhet pamundëson kuorumin dhe votimin e anëtarëve të bordit të Trustit pa kurrfarë arsye. Kjo është vetëm dëshmia e radhës se kjo opozitë nuk e ka hallin as te qytetari e as te shteti. Halli është tjetër kund”, ka deklaruar Murati.

Në mbledhjen e Komisionit për Buxhet, të enjten duhej të propozoheshin emrat e anëtarëve për Bord të Trustit Pensional, por mungesa e deputetëve Visar Korenicës (Lëvizja Vetëvendosje), Pal Lekajt (AAK), Avdullah Hotit (LDK) dhe e Ferat Shalës (PDK), e pamundësoi këtë.

Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës kanë paralajmëruar se do të pezullojnë prezencën dhe votimin në nismat e partisë në pushtet.

Back to top button