Muriqi: Nesër luajmë vetëm për fitore ndaj Gjeorgjisë

Sulmuesi i Kombëtares së Kosovës, Vedat Muriqi ka kërkuar fitore në ndeshjen e nesërme ndaj Gjeorgjisë edhe pse ka pranuar se ndaj Suedisë ka qenë një ndeshje e dobët.
Ai në një konferencë për media ka thënë se Kosova ka kualitete që mundësojnë fitoren ndaj gjeorgjianëve të papërshtatshëm.
”Patëm një ndeshje jo të mirë ndaj Suedisë. Besoj se ne si ekip kemi kualitet më shumë edhe ndaj Gjeorgjisë dalim për fitore, por nuk e nënvlerësojmë edhe pse arritëm fitore atje si mysafir, por i dimë kualitetet tona, e dimë çfarë mund të bëjmë dhe besoj se nesër do të marrim fitoren që e kemi pritur shumë”, ka thënë Muriqi.
Sa i përket angazhimit në sulm, Muriqi ka thënë se nuk ka ndonjë preferencë.
”Në radhë të parë, ne jemi futbollistë. Duhet të përshtatemi në taktikën e trajnerit. Nuk kemi kurrfarë arsye të themi se duhet të luaj vetëm unë apo le dy sulmues kështu që duhet të përshtatemi se nuk bën. Për mua nuk ka shumë dallim, sepse edhe vitin e parë kur isha te Lazio, aq minuta sa pata kemi luajtur me dy sulmues, kështu që nuk ka ndonjë dallim që të them mirë apo nga ana negative. Derisa më jepet rasti unë luaj edhe me dy sulmues, edhe vetë”, ka thënë Muriqi.
Ai ka shtuar se është gjithmonë i gatshëm ta ndihmojë Kosovën pa marrë parasysh pozitën se ku angazhohet në fushë.

Back to top button