Mushkolaj: Lajmet e rreme janë problem i madh me të cilët po përballen qytetarët
Më shumë se 20 ankesa në muaj për mediat, adresohen në Komisionin e Mediave të Shkruara. Në Kosovë po përhapet numër i madh të lajmeve të rreme, të cilat publikohen për qëllime financiare apo politike.
OSBE dhe Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës kanë organizuar tryezën për lajmet e rrejshme dhe verifikimin e fakteve në mediat online.
Kryetari i Komisionit të Mediave të Shkruara të Kosovës, Imer Mushkolaj tha se numri më i madh i tyre po shpërndahet gjatë proceseve zgjedhore.
“Është një problem jashtëzakonisht i madh me të cilën po ballafaqohen njerëzit në Kosovë. Kur them njerëzit e kam fjalën për qytetarët të cilët janë konsumues të lajmeve, sidomos të mediave online. Verifikimi i fakteve që nënkupton dekonstruktimin e lajmeve të rreme është një prej aktiviteteve kryesore që do të duhej ta kishin vet gazetarët, vet mediat, qytetarët të cilët janë të interesuar që përmbajtjen mediale të cilën e konsumojnë çdo ditë, ta kenë sa më të saktë dhe të verifikueshme”, u shpreh ai.
Kodi Etik në KMShK-së nuk po respektohet nga të gjitha mediat, për këtë arsyeje ka edhe ankesa të shumta.
“Mesatarisht në këshill i marrim 20 ankesa në muaj, që është një numër jashtëzakonisht i madh duke pasur parasysh shoqërinë çfarë është në Kosovë. Lajmet e rreme ato që përnjëmend janë plotësisht lajme të rreme krijohen qëllimisht edhe thjesht është qëllim financiar, qoftë qëllim politik apo qëllime të tjera pse ato krijohen. Dhe unë e bëjë dallimin mes këtyre lajmeve që krijohen me motive të tilla edhe lajmet që mund të mos jenë të plota”, ka thënë Mushkolaj.
Lajme jo të sakta ka pasur edhe gjatë kohës së fushatës zgjedhore.
Kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës(AGK), Xhemajl Rexha tha se shumë faqe në rrjetet sociale kanë bërë propagandë për kundër-kandidatët.
“Si zakonisht lajmet e rreme shtohen në periudhat e proceseve zgjedhore. Ka ndodhur edhe para raundin e parë, por ato kanë qenë më të theksuara pas raundit të parë. Ku gara është koncentruar në dy kandidatë. Dhe rastit të Podujevës ku ka qenë një rast eklatant ku kanë qenë një sasi e madhe jo krejtësisht lajmeve të rreme, por të cilat janë shpërndarë në ‘facebook’, ku supozohet që është e njerëzve të Lëvizjes Vetëvendosje ku e sulmonin kandidatin e LDK-së. Tema të cilat kanë mundur të ndikojnë direkt në rezultatin e zgjedhjeve në këtë komunë, që kanë marrë jehonë shumë të madhe në rrjetet sociale”, u shpreh ai.
Ai tha se po synojnë që vitin e ardhshëm të krijojnë një platformë ku do të angazhoheshin gazetarët e rinj në mënyrë që të jetë në gjendje të verifikojnë lajmet e rreme.
Për rëndësinë e kësaj teme ka folur edhe Arlinda Osmanaj nga OSBE.
“Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka quajtur infodemi, sepse e dimë që lajmet e pasakta mund t’i kushtojnë shumë rëndë publikut[…]Lajme të rreme ka, ka pasur. Është gjithmonë për interesa politike ose për interesa materiale, financiare”, u shpreh ajo.
Profesori universitar, Dren Gërguri tha se përveç në arsimim formal, gazetarëve duhet t’u mundësohen edhe trajnime të shumta.
“Së pari duhet që aftësinë e gjykimit kritik ndaj informacion ta shtrijmë tek e gjithë shoqëria. Së dyti duhet ta rrisim besimin në aftësinë që kanë individët e caktuar. Së treti duhet ta bindim audiencën që gjykimi kritik ndaj informacionit është i zbatueshëm në jetën e tyre. Çdo informacion duhet të analizohet para se të besohet dhe që secili të ketë brenda vetës sensin për ta verifikuar informacionin që merr. Gjykimi kritik nuk do të thotë vetëm verifikimin nëse informacioni është i vërtetë apo jo. Por, edhe faktin që qytetarët të aftësohet për të zhvilluar një gjykim që ndihmon atë në ato informacione që janë relevante për jetën e tij”, ka thënë Gërguri.
Në panel ka vijuar edhe me diskutimin e profesorëve të tjerë universitar për lajmet e rreme dhe verifikimin e tyre.