Musliu e quan “hajgarexhi” Kurtin

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është përplasur me deputeten e Partisë Demokratike, Ganimete Musliu, në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës.
Në pyetjet parlamentare, deputetja Musliu e pyeti Kurtin për realizimin e plan programit të tij për banimin social dhe për vendosjen e ushtruesve të detyrës së sekretarëve nëpër ministri.
Mirëpo me përgjigjen e kryeministrit Kurti nuk u shpreh e kënaqur deputetja Musliu, e cila i tha atij të mos filozofojë, pasi po flet duke mos thënë asgjë.
“Jeni me fol dhe mos me thanë kurgjo…prandaj mos filozofo” ,tha ajo.
Por asaj i reagoi kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, i cili i tha deputetes opozitare, kujdes që mos të përzihen në profesionin e tij të filozofisë.
“Gane kujdes mos m’u përzi në profesion kur thua mos filozofo. Me filozofu nuk është bash lehtë”, tha ai.
Ndërkaq, kryeministri Kurti, duke ironizuar pyeti deputeten Musliu se a din t’i tregojë atij se çka tha deri tash.
“Unë e kam vë një pyetje për juve, a dini me kallxu çka ju kallxova. Unë u përgjigja në pyetjen e juaj dhe unë ju tregova se cili është qëndrimi dhe mendimi im. A dini ju me tregu se çka ju tregova”, tha ai.
Në anën tjetër, përsëri e mori fjalën deputetja Musliu e cila e quajti kryeministrin Kurti mashtrues dhe hajgarexhi.
“Kërkoj ndjesë për shprehjen ‘filozofi’, por e thash për këtë hajgaregjinë këtu, ku 40 për qind e elektoratit të tij i ka quajtur analfabet funksional… Nuk i shiten më rrenat, gënjeshtrat, ti je vetëm një hajgaregji”, tha ajo.

Back to top button