Musliu falënderon Ramën për fjalimin në KE: Fali krerët e Kosovës për heshtjen inaqore

(Lajm i përditësuar)

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, ka falënderuar kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama për fjalimin e tij në Këshillin e Evropës, në mbrojtje të ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.
Ajo kërkoi nga ai t’i falë krerët e institucioneve të Kosovës për heshtjen e tyre, siç tha inaqore.
“Faleminderit Edi Rama. Faleminderit kryeministër i Shqipërisë, ti nderove gjithë shqiptarët që e duan atdheun dhe vlerësojnë historinë e tyre të lavdishme. Bartësit e institucioneve tona fali. Fali për heshtjen e tyre inaçore sepse edhe ashtu gjithmonë janë rreshtuar dhe vonuar në drejtimin e kahjes së drejtë të historisë tonë kombëtare”, tha ajo.
Të mërkurën, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama iu adresua asamblesë parlamentare të Këshillit të Evropës, lidhur me akuzat ish senatorit zviceran, Dick Marti, karshi ish krerëve të UÇK-së.
Haradinaj: Kurti të jap sqarime për dokumentin franko-gjerman

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i ka kërkuar kryeministrit, Albin Kurti të jap sqarime për dokumentin franko-gjerman për dialogun Kosovë-Serbi. Në seancën plenare të Kuvendit të premten, Haradinaj tha se kreu qeveritar ia ka borxh legjislativit të jap përgjigje për këtë proces.
Megjithatë, sipas tij, s’ka asnjë dokument franko-gjerman, por ka vetëm një i cili është amerikano-evropian.
“Një temë si dialogu dhe ndjeshmëria e kësaj teme e obligon kryeministrin, çdo herë para vendimeve të caktuara të informojë dhe konsultojë parlamentin. Kryeministri i Kosovës nëse nuk e bënë këtë është ka del nga obligimet dhe përgjegjësit e veta. Ka diçka që është shumë me rëndësi lidhur me dialogun dhe ajo çka po i thuhet opinionit. Duhet të jep sqarime për këtë dhe atë më së miri është t’i jep në parlament dhe jo ta ndjekin gazetarët në traktor, por në parlament dhe t’i tregojë Kosovës çka është puna e këtyre dokumenteve. Një dokument franko-gjerman, një dokument i dikujt tjetër. Ia ka me borxh kryeministri t’i tregojë parlamentit se çka është kjo punë. Jo me i dhënë për publik dokumentet sensitive, por për të siguruar popullin se çka është fjala. Sipas meje, nuk ka dokument franko-gjerman, por është loja e spekulimeve që i bëjnë kuzhina e caktuara. Por ka vetëm një dokument amerikano-evropian, sipas meje po flas dhe kushdo që vjen nga institucionet ndërkombëtare përfaqëson të njëjtin dokument. Munden me qenë francezë, gjermanë, por një dokument është. Duhet t’i tregohet Kosovës a janë shumë dokumente, apo është vetëm një”, tha ai.
Lideri i AAK-së, tha se presidentja, kryeparlamenatari dhe kryeministri, përmes një letre të përbashkët duhet t’i kërkojnë presidentit të ShBA-së, Joe Biden, që të jetë nikoqir i marrëveshjes finale Kosovë-Serbi.
“Ajo çka më habit është se pse ne ende po shpresojmë se do të arrijmë sukses në këtë nivel të dialogut. Cili është ky nivel, i Lajçakut, i të ngarkuarve, por ende jo i vendimmarrësve. Të ankohesh në korridore të Kuvendit tonë në njërin nga ata që vjen në Prishtinë nuk fitojmë asgjë. Kjo punë zgjidhet ndryshe. Presidentja, kryeparlamentari, kryeministri një letër të përbashkët presidentit të Amerikës t’i thuhet: ‘I nderuari president është afruar normalizimi i plotë me Serbinë, apo na mirëpret në Shtëpinë e Bardhë të nënshkruajmë marrëveshjen historike, me njohje reciproke, obligative ligjore gjithëpërfshirëse’. Çdo rrugë tjetër ka me lodhë Kosovën dhe ata që i përfaqësojnë Kosovën dhe munden me sjell pasoja”, shtoi Haradinaj.
​Zemaj: Raporti i Progresit për sektorin e shëndetësisë është shqetësues

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj ka thënë se Raporti i Progresit për sektorin e shëndetësisë është shqetësues. Nga qeveria, ai ka kërkuar llogari për gjendjen në këtë sektori për të cilin ka thënë se është sektori më vital për qytetarët në vend.
Në seancën e Kuvendit të Kosovës, Zemaj ka thënë se çështjet që janë përmendur në Raporti ne Progresit, janë të njëjta me ato që opozita i ka ngritur gjatë kësaj kohe por sipas tij nuk janë marrë parasysh.
Është shqetësues Raporti i Progresit për sektori në shëndetësisë i publikuar së fundi, ishin çështje të cilat opozita me shumë arsye gjatë gjithë kësaj kohe i ngriti por të cilat po thuajse të gjitha hasën në vësh të shurdhër. Raporti i Progresit evidenton një gjendje të cilësisë së keqe të shërbimeve, pa asnjë veprim për sigurimet shëndetësore dhe sistemi informativ shëndetësor, largim i stafit shëndetësor, më shumë pak përqindje të investimeve kapitale, thuajse në përqindje minimale, më shumë pak përmbushje të nevojave shëndetësore në Kosovë dhe rritje të atyre të qytetarëve që nuk mund t’i marrin këto shërbime dhe mungesë edhe të strategjisë por edhe shkurtim të buxhetit të Republikës së Kosovës”, ka thënë ai.
Këtë vit ai e ka quajtur vit të dështimit në sektorin e shëndetësisë.
“Kjo gjendje rëndohet edhe më shumë në këtë vitin e dështimit, këta 18 muaj të dështimit edhe në atë që e pamë së fundi me dorëheqjen e ministrit të Shëndetësisë. Ministri i dytë nga tre ministra të emëruar në këtë qeveri, nga Qeveria Kurti, erdhi i vet emëruar si ministër i shëndetësisë dhe çka është më skandalozja që më gojën e tij thuhet që luftohet dhe është luftuar nga brenda ose nga ata vet që e kanë emëruar. Një ministër i cili sabotohet nga grupe para politike të interesat dhe që mbështeten nga shumica parlamentare. Një ministër i cili konstaton që është krijuar një ambient pune toksik dhe monopoli dhe mbështet po ashtu nga partia në pushtet”, ka shtuar ai.
Krejt këto sipas tij janë tregues për gjendjen e rëndë në sektori ne shëndetësisë në Kosovë.
​Hoti: Importi nga Serbia është rritur për 30%

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, duke krahasuar muajin gusht me atë të vitit të kaluar, ka thënë se importet nga Shqipëria janë zvogëluar për 10%, ndërsa ato nga Serbia janë rritur për 30%.
Në seancën e Kuvendit të Kosovës, ai ka folur për tregtinë e jashtme në bazë të raportit të Agjencisë së Statistikave.
“Nëse shihen importet vetëm me vendet e regjionit, po e marr vetëm muajin gusht të këtij viti krahasuar me gushtin e vitit paraprak keni me e pa që nga Shqipëria janë zvogëluar importet për 10% por nga Serbia janë rritë me 30%. Edhe ju keni me thënë këtu që është ekonomi e hapur, Kosova ka ekonomi të hapur, ka ekonomi të tregut, në rregull pro ka pasur ekonomi të tregut edhe ku i keni përmbysur kamionët me mallra që vinin nga Serbia”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se në bazë të raportit Kosova po importon më shumë se vitin e kaluar në të gjitha mallrat pa përjashtim.
Sipas tij, kjo i vë në pikëpyetje deklarimet për rritje të madhe ekonomike të prodhimit vendor apo ato për 40 mijë vende të punës.
“Thellimi i deficitit tregtar, në bazë të këtyre të dhënave të Agjencisë të Statistikave për periudhën janar-gusht 2022 krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, eksportet e Kosovës janë rritë për 150 milionë por importet janë rritë me 800 milionë dhe kjo e ka çuar deficitin tregtar në 3 miliardë që është rritje për 56% krahasuar me vitin paraprak dhe besoj që këtu ja keni thyer një rekord vetës se kështu po i interpretoni këto çështje”, ka thënë ai.
PDK pritet të iniciojë një projektligj për krimet seksuale

Partia Demokratike e Kosovës ka propozuar miratimin e një projektligji për regjistrimin shtetëror të personave të dënuar për krime seksuale.
Deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha, në seancën e sotme plenare tha se fenomeni i veprave penale, si dhunim, sulm seksual dhe ngacmim është në rritje dhe meriton trajtim serioz.
“Fenomeni i këtyre krimeve është në rritje dhe meriton jo vetëm trajtimin ligjor, por njëkohësisht edhe atë psikosocial, kulturor dhe edukativo-arsimor. Prandaj me qëllimin që të aderohet ky fenomen, konsiderojmë se nuk është e përshtatshëm vetëm të propozohet rishikimi i kodit penal, pasi rishikimi i sanksioneve penale nuk e garanton zvogëlimin e këtyre rasteve. Prandaj jam këtu në emër të grupit parlamentar të PDK-së që të propozojmë hartimin dhe miratimin e një projektligji që do të mundësonte evidentimin dhe regjistrimin e të dhënave të autorëve të krimeve seksuale në të cilat do të kishte qasje shteti dhe shoqëria. Miratimi i një ligji të tillë do të mundësonte krijimin e një mekanizmi që do të evidentohen dhe regjistrohen të dhënat e personave të dënuar me vendime gjyqësore të formës së prerë me vepra penale, si dhunimi, sulmi seksual dhe ngacmimi. Kjo do të kishte efekt të jashtëzakonshëm në luftimin dhe parandalimin e këtyre krimeve”, tha ajo.
Këtë qëndrim Hoxha e bëri gjatë deklarimeve jashtë rendit të ditës në seancën e Kuvendit.
Bogujevci: Kemi mbështetje për anëtarësim në Këshill të Evropës

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci ka folur para deputetëve lidhur me paraqitjen e saj në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës.
Duke e përmendur procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshill, ajo ka thënë se ekziston një energji pozitive dhe përkrahje në këtë drejtim.
Për këtë, ajo ka thënë se vendi është në rrugën e duhur.
“Ky është vetëm fillimi, ne jemi në proces të anëtarësimit të Këshillit të Evropës, është një energji shumë pozitive, kemi shumë përkrahje por njëjtën kohë kemi edhe shumë punë për të bërë që të arrijmë deri në pikën finale, e di që është punuar shumë edhe nga deputetë të tjerë me grupet e miqësisë, në këtë drejtim, komisionet përkatëse është trajtuar çështja dhe rëndësia e anëtarësimit tonë në Këshillin e Evropës, ngadalë veçse po i afrohemi, jemi në rrugën e drejtë, në rrugën e duhur, për të krijuar kushte të tjera më të mira për qytetarët tanë, siç është gjykata për të Drejtat e njeriut dhe mekanizma të tjera që janë në kuadër të Këshillit të Evropës”, tha ajo.
Ajo ka falënderuar delegacionin e Kuvendit të Kosovës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe sipas saj arritjet po shënohen falë punës së përbashkët.
Deputetet pjesë e fushatës ndërgjegjësuese për kancerin e gjirit 

Seanca e sotme plenare ka filluar me një shenjë solidarizimi nga gratë deputete, për personat e prekur me kancer të gjirit, në kuadër të muajit rozë.
Tutje, është plotësuar rendi i ditës me shtimin e pesë pikave që janë marrëveshje ndërkombëtare.
Këto marrëveshje kishin mbetur pa u votuar në seancën e kaluar për shkak të mungesës së kuorumit.
Të njëjtat janë radhitur si pika shtesë pas pikës së dytë të rendit të ditës në këtë seancë.
Kuvendi mblidhet në dy seanca të ndryshme plenare
Kuvendi i Kosovës do të mblidhet në dy seanca të ndryshme plenare gjatë ditës së sotme. E para është paraparë të fillojë në ora 11:00 kurse e dyta në ora 15:00.
Në seancën e parë, pas pikave të zakonshme si ajo e deklarimeve jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve parlamentare, do të jenë në shqyrtim tri marrëveshje ndërkombëtare. Dy të parat me Bashkimin Evropian në fushën e tatimit dhe të doganave, ndërsa e treta me Gjermaninë, të përfaqësuar nga GIZ, për bashkëfinancimin për projektin e Parkut të Inovacionit dhe Trajnimit në Prizren.
Deputetët gjithashtu do të bëjnë shqyrtimin e dytë të Projektligjit nr.08/L-109 për Kompensimin e Viktimave të Krimit.
Po ashtu, do të bëhet shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-172 për Sigurinë e Përgjithshme të Produkteve, si dhe shqyrtimi i Propozim-rezolutës në lidhje me mosrealizimin e projekteve kapitale të Qeverisë gjatë vitit 2022.
Deputetët do të tentojnë të zgjedhin edhe dy anëtarë të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, ndërsa pikë e fundit e seancës së parë është shqyrtimi i raportit vjetor të Institucionit të Avokatit të Popullit për vitin 2021.
Seanca e dytë ka vetëm dy pika të rendit të ditës. Shqyrtimi i parë i projektligjit nr.08/L-179 për masat e përkohshme të produkteve themelore në raste të veçanta të destabilizimit në treg, si dhe shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-183 për mbështetjen e punëve publike./21Media

Back to top button