​Mustafa i reagon Bislimit: Drafti i tanishëm i Asociacionit nuk konsiston nga marrëveshja e 2013-ës

Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka reaguar ndaj deklaratës së zëvendëskryeministrit Besnik Bislimit, i cili mbrëmë gjatë një interviste televizive pozitën e kishte quajtur si bashkëpunëtore të Serbisë.

Në një postim në Facebook, Mustafa tha se deklarata e Bislimit për dokumentin e vitit 2015 për Asociacionin “ishte një e pavërtetë e kulluar”.

“Dëshiroj të theksoj se çdo gjë që e tha mbrëmë në kontekst të dokumentit të vitit 2015 ishte një pavërtetë e kulluar, për fat të keq e dalë nga goja e një zëvendëskryeministri të Republikës së Kosovës dhe profesor i Kolegjit Amerikan në Prishtinë.” – ka shkruar ai.

Mustafa gjithashtu tha se Besnik Bislimi ka pranuar draft-statutin që “promovon Autonominë politike dhe territoriale të serbëve në Kosovë.”

“Statuti i Asociacionit që qarkullon në opinion dhe tani e kanë edhe deputetët, nuk konsiston në asnjë formë me Marrëveshjen e vitit 2013, vetëm thirret në mënyrë abuzive në te. Statuti, me të cilin është pajtuar z. Bislimi promovon Autonominë politike dhe territoriale të serbëve në Kosovë. Prandaj edhe nuk mund të jetë Statut i Asociacionit por është Statut mbi Autonominë!? Është diçka krejtësisht e re, që nuk mund të mbështillet me marrëveshjet e mëparshme. Janë të çoroditura edhe pikëpamjet e Bislimit mbi mënyrën sesi do ti përcillet ky statut në shqyrtim Gjykatës Kushtetuese, sepse ajo nuk është mentore e Qeverisë dhe recenzente e vendimeve të saj, por ajo shqyrton se a është një akt juridik i qeverisë në harmoni me Kushtetutën; jo një akt i hartuar nga jashtë qeveria. Në këtë rast qeveria nuk mund ta luajë rolin e postierit por të vendimmarrësit” – është shprehur ish-kreu i LDK-së.

Back to top button