Mustafa i reagon VV-së: Rugovën e shpallën tradhtar e për ambasadorin dhanë aktgjykimin hyjnor

Deputeti i LDK-së, Besian Mustafa, ka reaguar ndaj Vetëvendosjes në lidhje me akuzat e ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj,  i cili ka qenë në qendër të një raportimi për një skandal të madh në Slloveni.
Mustafa ka thënë se Vetëvendosje e kanë shpallur tradhtar presidentin Ibrahim Rugova e bashkëpunëtor të Serbisë kurse për ambasadorin e tyre të dyshuar si i përfshirë në skandale e shpallin si të pafajshëm sipas tij me ”aktgjykim hyjnor”.
”E shpallën Rugovën tradhtar, antishqiptar e bashkëpunëtor të Serbisë. Fakte për këtë? As s’ju duheshin, as nuk i donin, as s’i kërkonin. Mjaftonte fjala e tyre, gjykimi i tyre ishte hyjnor, i prerë, përfundimtar. Nuk lanë udhëheqës politik, ministër, deputet, kryetar komune, etj. pa i shpallur hajna, të korruptuar, mashtrues. Fakte? S’ju duheshin. Mjaftonte që këta kishin vendosur dhe pikë. Aktgjykim hyjnor, pa të drejtë sqarimi. Ministrja shkelë një fëmijë 9 vjeçare dhe e akuzon vajzën se i ishte përplasur për veture. ”Ne i besojmë fjalëve të ministres”. Kaq. U mbyllë tema. E pafajshme! Aktgjykim i prerë hyjnor”, ka shkruar Mustafa.
Ky i fundit ka shtuar se Kosovës nuk u duhen Gjykatat kur komitetet e partisë nxjerin aktgjykime hyjnore, të prera e përfundimtare.
Martin Berishaj raportohej nga mediat sllovene se ka transportuar 600 mijë euro para të gatshme nga kompania e tij në Mal të Zi te politikani slloven, kryetari i Partisë së Lirisë, Robert Golob. Mirëpo këto raportime Berishaj i ka hedhur poshtë./21Media

Back to top button