Shemsi Mustafa për RTV21 tregon sa rrezikohet Kosova nga tërmetet?

Tërmeti që ndodhi mbrëmë me epiqendër në Bosnjë dhe Hercegovinë u ndje edhe në Kosovë.
Tërmeti te ne kaloi pa pasoja, e lidhur me këtë Drejtori i Institutit Sizmologjik i Kosovës, Shemsi Mustafa për portalin rtv21.tv tha se dëmet në fakt as nuk janë pritur.
“Tërmeti në fjalë është ndier dukshëm nga qytetarët e Republikës së Kosovës për shkak të fuqisë së lartë të tërmetit dhe veprimit e energjisë së liruar në një rreze deri në 400km. Deri me tani nuk ka raportime për ndonjë dëme dhe nuk është pritur dëme nga ky tërmet në territorin e Kosovës sepse ka rëndësi edhe distanca ku ndodhemi me epiqendrën e tërmetit ishim larg165km -240km”, tha Mustafa.
Megjithatë, sipas tij ky rast edhe rastet e tjera të tërmeteve që godasin jashtë Kosovës nuk duhet të injorohen.
“Sepse një tërmet i një fuqie të madhe edhe që godet jashtë territorit të Kosovës mund të shkaktojë pasoja në njerëz dhe dëme ekonomike.”, deklaroi Mustafa për portalin rtv21.tv
Ndërkaq sa i përket asaj se sa është e rrezikuar Kosova nga tërmetet, Mustafa tha se në aspektin sizmotektonik përfaqëson një terren aktiv, të dhënat për tërmetet nga e kaluara dëshmojnë qartë se dukuria e tërmeteve të forta në disa pjesë të territorit të Kosovës ka qenë evidente shumë herët dhe në bazë të këtyre ngjarjeve sizmike në të kaluarën, Kosova zë vend në zonën me aktivitet sizmik relativisht të lartë.
“Bazuar në Hartën e rrezikut sizmik për Kosovë jap disa të dhëna për tërmetet për periudha kthyese, pra në Kosovë nuk priten tërmete katastrofike, sipas hartës se rrezikut sizmik për një periudhë kthyese 50 vite mund te ndodh një termet me magnitud deri 6.0 shkallë te riterit, kurse për një periudhë kthyese 100 vite mund te ndodh një termet me magnitud deri 6.1-6.5 shkallë te riterit kështu që në ketë fuqi të këtij lloji te tërmetit e quajmë si termet i fuqishëm.” , tha Mustafa
Tutje ai tregoi  tri zona me aktivitet sizmik më të lartë në Kosovë.
“Ato janë: a. Zona Istog – Pejë – Prizren b. Zona Ferizaj –Viti – Gjilan c. Zona e Leposaviqit pra pjesën veriore të Kosovës”, përfundoi Shemsi Mustafa.
Mbrëmë një tërmet i fuqishëm goditi Bosnjë dhe Hercegovinën, tërmeti, që sipas EMSC ka qenë 5.7 ballë të Rihterit ka shkatuar vdekjen e një 27 vjeçareje dhe dëme të shumta materiale./21Media

Back to top button