Mustafa kujton kohën kur iu sulmua shtëpia “nga njerëzit e Kurtit”

Ish-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës(LDK), Isa Mustafa, ka reaguar pas kërcënimit që i është bërë kryeministrit Albin Kurti.
Mustafa ka thënë se ky rast ia ka kujtuar kohën kur siç thotë ai njerëzit e Albin Kurtit, në terrin e datës 26 shkurt 2016 sulmuan shtëpinë e tij me bomba molotov.
“Mbrëmë u njoftuam se Njësia Speciale e Policisë së Kosovës e ka rrethuar shtëpinë e Kryeministrit Kurti, pas një kërcënimi që i ishte bërë.  Më erdhi keq! Më vonë u tha se ishte një kërcënim nga adresa Shit e Blej!.  Kjo ma kujtoi kohën kur, jo adresa shit e blej, por njerëzit e Albin Kurtit, Kryeministrit të tanishëm, në terrin e datës 26 shkurt 2016 sulmuan shtëpinë time, që isha Kryeministër i Kosovës, me bomba molotov”, ka treguar Mustafa.
Tutje, Mustafa ka thënë se kur i ishte sulmuar shtëpia nuk kishte njësi speciale e as mbrojtje speciale.
Ai ka thënë se për fat gruaja mbeti gjallë dhe policët që kujdeseshin për shtëpinë e tij nuk ishin lënduar.
“Kur arrita në shtëpi e pyeta shoqen time se si u ndjeve, a pate frikë, a të mbrojti policia. Ajo ma ktheu: po çfarë!! Policët mezi e shpëtuan kryet e tyre, sepse e kapi flaka dhe tymi korridorin ku ata ishin të vendosur. Nuk kishte njësi speciale as mbrojtje speciale. Fati gruaja mbeti gjallë dhe policët që kujdeseshin për shtëpinë time nuk ishin lënduar. Kujtime të rënda!”, ka thënë Mustafa.
Ndërkohë, Policia e Kosovës është deklaruar një ditë pas kërcënimit ndaj kryeministrit Albin Kurti. Njoftuan se pas pranimit të informacioneve lidhur me kërcënimin, menjëherë kanë ndërmarrë të gjitha masat dhe veprimet e nevojshme operativo hetimore. Policia e Kosovës ka konfirmuar se në këtë aktivitet nuk ka pasur të angazhuar asnjë zyrtarë të njësive speciale./21Media

Back to top button