Mustafa tha se mbështetja për fermerët e bujqit s’do të mungojë

 

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Besian Mustafa sot vizitën e ka vazhduar edhe në Xërxë të Rahovecit dhe Rogovë të Gjakovës, ku ka bashkëbiseduar me fermerët e asaj zone dhe iu ka ofruar mbështetjen e dikasterit që drejton.

Ministri Mustafa ka thënë se edhe këto dy regjione kanë përfituar mjaftë shumë nga Ministria e Bujqësisë, si në formën e granteve dhe subvencioneve, por edhe do të vazhdojë që të rritet kjo përkrahje për këtë regjion.

“Po vazhdojmë vizitën tonë sot në Rogovë të Gjakovës, ku u takuam me bujq, fermerë, blegtorë, ku po ashtu bëmë një përmbledhje për të gjitha punët që kemi arritur t’i realizojmë gjatë vitit 2020, natyrisht duke mos anashkaluar edhe ato që nuk kemi arritur t’i përfundojmë brenda vitit, por që do të vazhdojmë t’i realizojmë gjatë vitit 2021”, ka thënë ai.

Mustafa ka thënë që temë diskutimi me fermerët e këtushëm ishin sfidat me të cilat janë ballafaquar gjatë pandemisë. Ai ka deklaruar se pagesat edhe për këta fermerë do të vazhdojnë nga fillimi i muajit shkurt.

“Kryesisht tema diskutimi ishin sfidat gjatë pandemisë që u përballen ky sektor, në këtë regjion mjaftë të rëndësishëm për këtë sektor. Pagesat për pagesa direkte do të vazhdojnë që nga fillimi i muajit shkurt, një temë mjaftë e rëndësishme për këtë sektor, natyrisht duke rritur edhe cilësinë e kontrolles ne teren por edhe të aplikacioneve për grande dhe subvencione , por edhe duke rritur cilësinë e punë së gjithë ministrisë’”, ka thënë Mustafa.

Ndërsa, fermeri Shyqyri Krasniqi ka falënderuar ministrin Mustafa për vizitat dhe mbështetjen që i ka bërë këtyre fermerëve gjatë gjithë kohës së pandemisë.

“Kjo nuk është hera e parë që ky vjen në trevat tona, është hera e tretë ose e katërt. Në këtë vit shumë të vështirë që ka mbretëruar sivjet në kohën e pandemisë dhe me gjitha problemet që kemi pas edhe me kushtet atmosferike mirëpo edhe me pandeminë. Ne mund të jemi të kënaqur, me këto kushte aq modeste që i ka pasë Ministria e Bujqësisë, për arsye se ka bërë subvencionimin e dyfishtë të produkteve bujqësore dhe blegtorale. Mirëpo natyrisht që fermeri është çdoherë i pakënaqur dhe kërkon çdoherë e më shumë”, ka thënë Krasniqi.

Ministri i Bujqësisë, Besian Mustafa ka thënë se kjo ministri do të mbetet e përkushtuar për t’iu ndihmuar fermerëve edhe në të ardhmen, në mënyrë që fermerët në vitin 2021 të jenë më të fuqishëm edhe në aspektin financiar, që t’i bëjnë konkurrencë edhe produkteve nga tregjet e huaja që vijnë në Kosovë.

Back to top button