Mustafa thekson rolin e Nishanit në proceset e Kosovës

Mustafa vlerësoi lartë kontributin e Nishanit për Kosovën

Kryeministri në largim, Isa Mustafa, priti në takim Presidentin e Shqipërisë, Bujar Nishani. Gjatë takimit, kryeministri në largim shprehu mirënjohjen e Qeverisë dhe të qytetarëve të Kosovës për kontributin e madh që Presidenti Nishani ka dhënë për Kosovën, gjatë mandatit të tij në krye të shtetit shqiptar.

Duke vlerësuar përkrahjen e madhe të Shqipërisë gjatë kësaj periudhe Mustafa theksoi rolin e veçantë pozitiv dhe unifikues të Nishanit në proceset zhvillimore në Kosovë, në Shqipëri dhe më gjerë.

Gjatë takimit, Mustafa e njoftoi Presidentin Nishani edhe për zhvillimet aktuale në Kosovë, si dhe përkushtimin e tij për avancimin e mëtejshëm të zhvillimit ekonomik, luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, integrimet euroatlantike dhe proceset tjera për zhvillimin e shtetit.

Isa Mustafa, po ashtu, theksoi përkushtimin për fuqizimin e mëtejshëm të bashkëpunimit bilateral me Shqipërinë në të gjitha fushat. Ndërsa, Nishani, falënderoi kryeministrin Mustafa për punën dhe përkushtimin e tij për fuqizimin e shtetit të Kosovës si dhe avancimin e bashkëpunimit me Shqipërinë.

Nishani foli për proceset aktuale në Kosovë, në Shqipëri dhe më gjerë, duke theksuar besimin e tij për avancimin e proceseve demokratike dhe euroatlantike.

Po ashtu Nishani theksoi përkushtimin e mëtejshëm për të kontribuuar për avancimin e proceseve në Kosovë, duke vlerësuar lartë lidershipin e kryeministrit Isa Mustafa në krye të Qeverisë së Republikës së Kosovës./21Media

 

Back to top button