Mustafa: Zgjidhjen për situatën e bëjnë Vetëvendosja, jo ne

Deklarimet e LDK-së pas takimit me amerikanët

“Zgjidhjen për situatën për arritjen e marrëveshjes për bashkëqeverisje e ka Vetëvendosja, jo Lidhja Demokratike e Kosovës.”, kështu deklaroi kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, pas takimit me ambasadorin amerikan Philip Kosnett dhe ish- ambasadori Wiliam Walker.

Ndërkaq nënkryetari Agim Veliu tha se LDK-ja po pret një zgjidhje nga Vetëvendosja.

Ne po presim një zgjidhje nga VV-ja. Një zgjidhje që është funksionale për dy palët, derisa ta marrim zgjedhjen po presim. Përgjegjësia është e atyre që të ofrojë një zgjidhje në këtë situatë të krijuar. Nuk po flas as për ofertën e Kurtit sepse ne nuk i kemi shqyrtuar në organet tona. Ofertat e veçanta nuk i shqyrtojmë. Kemi biseduar për parimet që duhet ti ketë një qeverisje. Po e presim një zgjidhje që ata duhet ta ofrojnë që të kemi një qeveri stabile”, ka thënë Veliu.

Për takimin me ambasadorin amerikan, Veliu ka thënë se është në vazhdën e takimeve të rregullta.

Ndërkohë LDK nëpërmjet një shkrimi në Facebook, bëri të ditur se gjatë takimit sot Mustafa e njoftoi Kosnett-in për rrjedhën e bisedimeve të deritanishme me Lëvizjen Vetëvendosje për arritjen e marrëveshjes për bashkëqeverisje.

Sipas tyre, Kosnett ftoi udhëheqësit politik ta formojnë qeverinë e re e cila sa më parë do të përmbushë mandatin e votuesve./21Media

Back to top button