Nagavci: Ftoj mësimdhënësit e prindërit në edukimin e gjeneratave të reja

Lajm i përditësuar

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka reaguar pas rastit të sulmit fizik ndaj të moshuarës në një strehimore në Pejë.
Ajo përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, ka thënë se në këtë drejtim, roli i edukimit brenda institucioneve arsimore është kyç.
“Sepse jemi përgjegjës për të krijuar gjenerata që sigurojnë vazhdimësinë e vlerave njerëzore, edhe në rastet kur familja për arsye të ndryshme mund të mos arrijë të transmetojë vlerat e domosdoshme morale, gjë që çon edhe tek formësimi i karaktereve që ushtrojnë dhunë, madje edhe ndaj kategorive të ndjeshme të shoqërisë. Ftoj mësimdhënësit e prindërit, shoqërinë civile, mediat dhe të gjithë qytetarët, që të punojnë bashkë me institucionet përgjegjëse qendrore e lokale në edukimin e gjeneratave të reja dhe ngritjen e vetëdijes shoqërore për kujdesin ndaj kategorive të ndjeshme. Të gjithë bashkë të kujdesemi për një kulturë ku respektohen vlerat, për kujdes të veçantë ndaj kategorive të ndjeshme, e sidomos për të moshuarit, sepse ata janë prindërit tanë dhe kështu bota dhe liria do të jetë shumë më e bukur!”, ka shkruar Nagavci.
 
Mehaj: Taulanti që ra dëshmor s’e kishte menduar që nëna e tij do të keqtrajtohej
Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka reaguar pas videos ku shihet se në një shtëpi të pleqve në Pejë, është maltretuar një e moshuar nga një anëtare e stafit.
“Për fat të keq, ajo që pamë sot është që e keqja vjen e maskuar në forma të ndryshme, e përtej imagjinatës sonë, arriti të zë vend maskuar edhe në mantelin më fisnik, infermieres që verbërisht çdokush mund t’ia besonte jetën e prindërve e fëmijëve, pa qenë i vetdijshëm se ekzistojnë të tillë persona që nuk e kanë aspak problem ushtrimin e dhunës të pakursyer ndaj kujdo, e shumëfish më rëndë përjetohet kjo ngjarje kur kuptojmë se dhuna po ushtrohet ndaj një nëne të dëshmorit që dha jetën që këta rinj të ushtrojnë të lirë profesionin e tyre”, ka shkruar Mehaj.
E moshuara, viktima e dhunës në Shtëpinë e Pleqve është nëna e një dëshmori.
“Taulanti teksa po luftonte nuk e kishte menduar se një ditë nëna e tij do të keqtrajtohej në këtë mënyrë, se një i ri nuk do të dinte vlerën e lirisë, nuk do të njihte respektin ndaj të moshuarve dhe obligimin e shumëfisht që e kemi t’i shërbejmë atdheut, qytetarëve tanë, e mbi të gjitha nënave heroike që rritën burra e gra trima për t’ia falë atdheut”, ka thënë ai.
Ministri kërkoi që “urgjentisht duhet hetuar e dënuar ky rast, jo vetëm protagonistja kryesore, por dhe të gjithë të tjerët që bëjnë sehir përderisa ushtrohet dhuna”.
Mehaj tutje bëri thirrje që të lexohet e rilexohet kjo fjali e betimit të Hipokratit “Do të di se në mjekësi, sikurse ka shkencë, ka dhe art, dhe që ngrohtësia, simpatia dhe mirëkuptimi mund të tejkalojnë thikën e kirurgut ose ilaçin e kimistit”.
 
Reagon Haxhiu: Abuzimi që pamë s’mund të jetë i vetmi, qytetarët të bashkëpunojnë me institucionet 
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu sjelljen e infermiereve ndaj një të moshuare në Shtëpinë e Pleqve në Pejë e ka quajtur “sjellje abuzuese e mizore” duke thënë se ky rast i ka tronditur të gjithë.
Ajo përmes një postimi në “Facebook”, ka kërkuar nga qytetarët të bashkëpunojnë me institucionet duke thënë se ky rast nuk mund të jetë i vetmi.
“Abuzimi që pamë sot, nuk mund të jetë i vetmi prandaj qytetarët duhet të bashkëpunojnë me institucionet në rast të dyshimeve për keqtrajtimin e familjarëve në shtëpinë e të moshuarve në Pejë, apo edhe në qendrat tjera të kujdesit ndaj këtyre kategorive. Hetimet duhet të thellohen!”, ka shkruar ajo.
Haxhiu gjithashtu ka theksuar se menaxhmenti duhet të jap llogari për keqtrajtimin e qytetarëve në ato ambiente.
 
Sveçla bënë thirrje të sjelljen para drejtësisë infermieret në rastin në Pejë
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla i ka quajtuar të pa pranueshme veprimet e dhunës brenda institucioneve të përkujdesjes.
Duke reaguar kështu ndaj sulmit fizik ku infermierja godet një të moshuar në Shtëpinë e Pleqve “Orenda” në Pejë.
Sveçla bëri se janë arreestuar dy të dyshuara dhe hetimet po vazhdojnë.
“Nga Policia e Kosovës jam njoftuar që deri më tani janë arrestuar dy nga dhunueset dhe hetimet po vazhdojnë. Fuqishëm bëj thirrje për sjelljen para drejtësisë të të gjithë personave të implikuar në këtë akt çnjerëzor”, ka shkruar Sveçla në Facebook.
Tutje ministri tha se me shqetësim kanë parë të gjithë pamjet e keqtrajtimit të gruas të moshuar nga një grup vajzash, në një shtëpi të përkujdesjes së të moshuarve në Pejë.
Policia e Kosovës ka arrestuar edhe infermieren e tretë, e dyshuar për sulmin ndaj një të moshuare në Pejë./21Media

Back to top button