Nagavci mirëpret emërimin e anëtarëve të Këshillit Kombëtar të Shkencës

 
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka reaguar pasi që Kuvendi i Kosovës sot miratoi propozimin për emërimin e 15 anëtarëve të Këshillit Kombëtar të Shkencës.
Nagavci me këtë rast ka falënderuar deputetët që e votuan këshillin, pa marrë parasysh grupin parlamentar.
“Këshilli Kombëtar i Shkencës është trupë profesionale që përkujdeset për zhvillimin sistemor të veprimtarisë kërkimore-shkencore dhe teknologjike në Republikën e Kosovës. Duke ditur se përkundër rëndësisë që ka sipas ligjit, Kosova ka qenë pa Këshill Kombëtar të Shkencës prej qershorit të vitit 2011, ndërsa Programi Kombëtar i Shkencës ka skaduar në vitin 2015, si ministri kemi marrë të gjitha veprimet e nevojshme me qëllim të rifunksionalizimit të Këshillit Kombëtarë të Shkencës. Kemi shpallur thirrjen publike për nominimin e anëtarëve të këshillit bazuar në Ligjin për Veprimtari Kërkimore-Shkencore dhe poashtu kemi përfshirë edhe hulumtues të suksesshëm e me përvojë nga diaspora, jemi kujdesur të sigurojmë përfaqësimin adekuat të institucioneve kërkimore – shkencore, të fushave prioritare të shkencës dhe autoriteteve shkencore. Falenderoj deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës që e votuan këshillin, 64 deputetët pa marrë parasyshë grupin parlamentar. Uroj suksese për KKSH-në dhe pres që së shpejti të kemi edhe Programin Kombëtar të Shkencës, ndërkohë që do të kujdesemi edhe për sigurimin e kushteve dhe mjeteve të nevojshme financiare për veprimtarinë kërkimore shkencore”, ka shkruar Nagavci në Facebook.
Anëtarët e Këshillit Kombëtar të Shkencës, me mandat katër vjeçar, janë:

Shkencat e Natyrës:
1.Fetah Podvorica
2.Mihone Kerolli
3.Ardian Gojani
Inxhinieria dhe Teknologjia:
4.Myzafere Limani
5.Ardian Morina
Shkencat e Mjekësisë dhe Shëndetit:
6.Zanfina Ademi
7.Fisnik Kurshumliu
Shkencat e Bujqësisë dhe Veterinës:
8.Bajram Berisha
9.Hysen Bytyçi
Shkencat Shoqërore:
10.Aliriza Arenliu
11.Gazmend Qorraj
12.Armend Tahirsylaj
13.Serdan Kervan
Shkencat Humane:
14.Majlinda Bregasi
15.Arbnora Dushi./21Media
Back to top button