Nagavci: Opozita po e përdor zgjedhjen e presidentit si mjet bllokimi

Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka kritikuar partitë opozitare se zgjedhjen e presidentit po e përdorin si mjet bllokimi.
Ajo duke përmendur veprimtarinë e akademik Rexhep Qosjes, i cili u nda nga jeta të enjten, tha se opozitarët po shmangin zgjedhjen e presidentit për arsye partiake.
“Rexhep Qosja do të mbetet përjetësisht aktual, pasi ai nuk kritikoi vetëm kohën e vet, por një mënyrë të të bërit politikë që për fat të keq vazhdon të shfaqet edhe sot. Pra shmangia e vendimit, relativizmi i përgjegjësisë, zëvendësimi i qëndrimit me kalkulim. Ja pra ku jemi edhe ne mu përballë pasqyrës që na la profesor Qosja. Zgjedhja e presidentit është një proces i qartësisë sonë politike. Ai nuk është vetëm funksion, por simbol i mënyrës sesi ne e kuptojmë shtetin dhe unitetin. Në këtë proces dallimet janë të dukshme. Ka nga ata që e trajtojnë si detyrim institucional dhe ka nga ata që e përdorin si mjet bllokimi. Nëse do të ndiqnim logjikën e Rexhep Qosjes, nuk do të kishim shumë mjegull. Kur vendimi shtyhet për arsye partiake, përgjegjësia është shmangur. Ne si shumicë e kemi të qartë qëndrimin tonë. Ky proces duhet të përmbyllet, se shteti nuk mund dhe nuk duhet të mbahet pezull. Presidenti duhet të dalë nga një proces i rregullt dhe të përfaqësojë unitetin e Republikës. Por uniteti nuk ndërtohet duke mos marrë pjesë dhe bllokuar, por ndërtohet duke vendosur. Shteti nuk pret, ai kërkon vendime”, tha ajo.
Kuvendi ka afat kushtetues deri më 28 prill për ta zgjedhur presidentin, në të kundërtën vendi shkon në zgjedhje.