Nagavci reagon përsëri: Greva ka humbur çdo kuptim

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci sot për herën e dytë ka bërë thirrje mësimdhënësve që të nesër t’u kthehen shkollave për mësim.
Thirrja e dytë e Nagavcit, vjen pas insistimit të sërishëm të SBASHK-ut, që greva të vazhdojë deri në përmbushjen e kërkesave të tyre.
Lidhur me këtë, ministrja Nagavci shprehet se si qeveri kanë pritur që SBASHK të tregojë gatishmëri për të filluar mësimi, e për këtë rezulton të kenë refuzuar rolin ndërmjetësues të presidentes e po ashtu edhe atë të Avokatit të Popullit.

“Si Qeveri kemi pritur që të ketë gatishmëri edhe nga SBASHK-u dhe të vazhdojmë dialogun social e të fillojë mësimi. Por, përmes mediave kemi parë tashmë që Sindikata ka dalë me qendrim se greva vazhdon. Fatkeqësisht, Sindikata e Arsimit përveçse po refuzon bashkëpunimin me Qeverinë, ka dështuar dhe refuzuar edhe rolin ndërmjetësues të Presidentes e tash së fundi edhe të Avokatit të Popullit”, ka shkruar Nagavci në Facebook.
Tutje, Nagavci ka shtuar se “SBASHKU tanimë po e dëshmon se grevën nga një instrument e ka shndërruar në objektiv në vete. Si e tillë, greva e ka humbur çdo kuptim andaj, si ministre e Arsimit ftoj mësimdhënësit anembanë Kosovës që, nga nesër t’u kthehen shkollave”.
Ministrja ka publikuar edhe shkresën me propozime, të Avokatit të Popullit dhe përgjigjen e tyre./21Media
Back to top button