Natë e tensionuar në veri, shpërthime e të shtëna armësh në disa lokacione

Situata e përgjithshme e sigurisë gjatë natës së mbrëmshme në veri të vendit ka qenë e tensionuar.
Dy shpërthime të fuqishme, një rreth orës 1:30 pas mesnatës dhe tjetra në ora 3:00 janë dëgjuar afër Zveçanit, ndërsa në drejtim të Zubin Potokut ka pasur edhe të shtëna armësh.
Barrikadat janë përforcuar gjatë natës me makineri të rëndë, sidomos në fshatin Soqanicë dhe Rudare, ndërsa janë vendosur edhe tenda për qytetarët të cilët po qëndrojnë tek barrikadat.
“Në barrikada ka shumë persona të panjohur dhe të armatosur të cilët kanë hyrë nga Serbia, ndërsa persona të maskuar po kujdesen për t’i sulmuar të gjithë ata që tentojnë t’i xhirojnë ose fotografojnë, duke përfshirë këtu gazetarët shqiptarë”, bëjnë të ditur burime të Kosovapress.
Ekipi i KosovaPress-it është penguar po ashtu sot rreth orës 5:00 të mëngjesit afër Rudares nga këta persona, të cilët sapo kanë vërejtur prezencën e gazetarëve kanë filluar t’i ndjekin ata duke i sharë dhe hedhur gurë në automjetin e tyre.
Pjesëtarë të Policisë së Kosovës vazhdojnë të jenë prezentë nëpër lagjet e banuara me popullatë të përzier në veri, duke ruajtur qetësinë dhe rendin publik, si dhe duke ofruar siguri për të gjithë banorët pa dallim./kp

Back to top button