Ndalim 48 orësh për të arrestuarit për marihuanë

Prokuroria Themelore në Prizren ka njoftuar se gjashtë të arrestuarit për trafikim me narkotikë janë në ndalim për 48 orë, me vendim të prokurorit.
Me urdhër të Prokurorisë, Policia e Kosovës, respektivisht Njësiti për Hetimin e Trafikimit me narkotikë në Prizren, kanë realizuar një aksion për bastisje në një lokacion me dyshimin për trafikim me narkotikë.
Me rastin e bastisjes janë kapur në flagrancë dhe janë arrestuar gjashtë  persona, katër prej tyre shtetas të Maqedonisë së Veriut dhe dy shtetas të Kosovës, nën dyshimin e bazuar se të njëjtit kanë kryer veprat penale “Kultivimi i bimës së hashashit, shkurrës së kokainës ose bimëve të kanabisit” dhe “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautroizuar e narkotikëve, substanave psikotrope dhe analoge”.
Në aksion janë gjetur rreth 32 kilogramë narkotikë e llojit marihuanë, 2 mijë e 59 bimë të mbjella në saksi, të cilat janë konfiskuar, si dhe narkotikë që kanë qenë të përgatitura dhe të gatshme për shitje.
Vendi (laboratori) ku janë gjetur narkotikët i ka pasur të gjitha pajisjet e nevojshme për kultivimin e bimës së kanabisit si: ndriçimin e posaçëm, sistemin e ujitjes, sistemin e ajrosjes, peshore, qese, si dhe sasi të konsideruar të dheut të vendosura në thasë.
Në aksion janë sekuestruar edhe 3 automjete të markave BMW, Ford dhe Opel Zafira, 6 celularë, para të gatshme në shumë prej 2185.29 euro, 313 denar, 1 DVR dhe 1 laptop.
Prokuroria ka njoftuar se lidhur me këtë rast hetimet do të vazhdojnë./21Media

Back to top button