Ndalimi i procesit të liberalizimit të vizave, në listën e sanksioneve nga BE-ja

Ngrirja e fondeve të BE-së, ndalimi i procesit të liberalizimit të vizave dhe proceset e anëtarësimit në institucionet ndërkombëtarë, janë disa nga sanksionet e BE-së që i ka hartuar për Kosovën, sipas raportit nga Euractiv, përcjell rtv21.tv.

Në listën e sanksioneve, e cila sot iu dërgua shteteve anëtare të BE-së për miratim, gjithashtu parashikohet që aleatët të marrin një qëndrim pasiv ndaj fushatës së çnjohjes të Serbisë, duke riorganizuar praninë ushtarake ndërkombëtare dhe një reduktim serioz të kontingjentit amerikan.

Janë përmendur edhe sanksione individuale ndaj liderëve dhe zyrtarëve të lartë kosovarë, por siç kuptohet, këto do të përdoreshin në skenarin më të keq, pasi sanksionet e mundshme do të shtriheshin në faza.

Burimi gjithashtu i bëri thirrje opozitës që të mbështesë BE-në dhe SHBA-në në përpjekjet e tyre për të stabilizuar situatën dhe gjithashtu të deklarojnë nëse i mbështesin obligimet e Kosovës në dialogun e vazhdueshëm të mbështetur nga BE-ja.

Një burim i dytë diplomatik i tha Euractiv se ata ishin në dijeni të një dokumenti që parashikonte sanksione të mundshme që po qarkullonte, dhe ndërsa ata nuk mund të thonë nëse dokumenti ishte nënshkruar zyrtarisht, ato ishin me të vërtetë masat në diskutim që nga e shtuna e kaluar.

Të martën, Radio Evropa e Lirë raportoi se sanksionet e BE-së ishin të pashmangshme, duke përfshirë pezullimin e ftesave për pjesëmarrjen e Kosovës në ngjarjet e nivelit të lartë, vizitat dypalëshe nga BE-ja dhe vendet anëtare, dhe vetëm mbajtjen e takimeve kur ato lidhen drejtpërdrejt me krizën në veri.

Masat tjera përfshijnë ndërprerjen e takimeve të nën-komisioneve ndërmjet Kosovës dhe BE-së, të krijuara në bazë të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit. REL theksoi gjithashtu se financimi i BE-së për disa projekte në kuadër të Fondit të Investimeve për Ballkanin Perëndimor gjithashtu do të pezullohet. /21Media

Back to top button