Ndalohen edhe tre persona në rastin e kontratës së dëmshme të Telekomit

 

Janë ndaluar edhe tre të dyshuar në rastin e kontratës së lidhur në mes të Telekomit të Kosovës dhe operatorit ekonomik “Zone Mobile” L.L.C, në vlerë rreth 450 mijë euro, ku muajin e kaluar janë arrestuar katër persona.

Gjatë aksionit janë kryer kontrollet e shtëpive dhe lokaleve në Komunën e Prishtinës, Pejës dhe Prizrenit, ku janë konfiskuar dokumente të ndryshme dhe mallra në vlerë rreth 30 mijë euro.

“Personi me inicialet F.A., nga Prishtina, pronar i Operatorit Ekonomik “Zone Mobile” L.L.C, dyshohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik”, nga neni 415 lidhur me nenin 31 të KPRK-së dhe “Shmangia nga tatimi”, nga neni 307 lidhur me nenin 31 të KPRK-së, i dyshuari A.P., nga Peja, pronar i kompanisë “Kompex” me seli në Pejë, dyshohet se ka kryer veprat penale “Dokumentet e rrejshme lidhur me tatimin”, nga neni 308 dhe “Shmangia nga tatimi”, nga neni 307 të KPRK-së dhe i dyshuari G.H., nga Prizreni, pronar i kompanisë “Versacop” SH.P.K, me seli në Pejë, dyshohet se ka kryer veprat penale “Dokumentet e rrejshme lidhur me tatimin”, nga neni 308 dhe “Shmangia nga tatimi”, nga neni 307 të KPRK-së”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

Të dyshuarit, me aktvendim të Prokurorit të Shtetit janë ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh dhe ndaj të njëjtëve brenda afatit ligjor do të paraqet kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në gjykatën kompetente.​/21Media

 

 

Back to top button