Ndalohet për 11 ditë e qeshura dhe alkooli në Korenë e Veriut

Koreanëve të Veriut u është ndaluar të qeshin ose të pine alkool për 11 ditë për të shënuar dhjetëvjetorin e vdekjes së ish-liderit Kim Jong Il.
Autoritetet qeveritare kanë urdhëruar publikun që të mos tregojë asnjë shenjë lumturie derisa Koreja e Veriut përkujton vdekjen e tij.
Kim Jong Il sundoi Korenë e Veriut nga viti 1994 deri në vdekjen e tij në 2011, dhe më pas u pasua nga djali i tij i tretë dhe më i vogël, udhëheqësi aktual Kim Jong Un, transmeton rtv21.tv.
Tani, dhjetë vjet pas vdekjes së tij, koreano-veriorët po detyrohen të respektojnë periudhën 11-ditore të zisë, ku nuk u lejohet të qeshin apo të pinë alkool .
“Gjatë periudhës së zisë, ne nuk duhet të pimë alkool, të qeshim apo të përfshihemi në aktivitete të kohës së lirë,” i tha Radios Free Asia (RFA) një koreano-verior nga qyteti kufitar verilindor i Sinuiju .
Burimi shtoi se koreano-veriorët nuk lejohen të bëjnë pazare ushqimore më 17 dhjetor – përvjetorin e vdekjes së Kim Jong Il.
Kim Jong Il vdiq nga një atak në zemër më 17 dhjetor 2011 në moshën 69-vjeçare pasi sundoi vendin për 17 vjet në një diktaturë brutale dhe represive.
Ndërsa periudha e zisë që mbahet çdo vit për Kim Jong Il është zakonisht 10 ditë, këtë vit do të jenë 11 ditë për të shënuar dhjetëvjetorin e vdekjes së tij.
Koreja e varfër e Veriut është nën grupe të shumta sanksionesh ndërkombëtare për armët e saj bërthamore dhe programet e raketave balistike dhe ka vuajtur prej kohësh mungesa kronike të ushqimit.
Vendi po përballet me krizën e tij më të keqe ekonomike prej vitesh, e goditur si nga sanksionet ashtu edhe nga bllokada e vetë-imponuar e koronavirusit./21Media

Back to top button